Debat në emisionin “Trialog”, në RTSH mbi raportin e SPAK, ish-prokurori ngre alarmin për dualizim në drejtësi

Drejtësia dhe analiza e thellë e raportit të kreut të SPAK, Altin Dumani, në komisionet parlamentare, ishte në fokus të emisionit “Trialog” në RTSH, moderuar nga Alba Alishani. Në panel, ku ishin të pranishëm gazetarët dhe analistët Lorenc Vangjeli, Preç Zogaj dhe Arion Sulo, bashkë me ish-prokurorin Eugen Beci, u prekën çështje të rëndësishme si situata kriminale, korrupsioni i zyrtarëve të lartë, krimet zgjedhore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Një nga pikat më kritike të ngritura gjatë emisionit nga ish-prokurori Eugen Beci, ishte ajo që ai e cilësoi si një problem strukturor të shkaktuar nga vetë procesi i reformës në drejtësi.
“Kemi dy prokurorë të përgjithshëm. Më duket sikur reforma në drejtësi ka krijuar dualizim. Nuk di pse duhet të ketë 2 prokurorë të përgjithshëm potencialisht,” u shpreh Beci, duke shtuar si shembull faktin se “Prokurori i Përgjithshëm goditi kodin e ri penal.”
Deklarata e ish-prokurorit Beci la të kuptohej se funksionimi paralel i dy figurave me autoritet të lartë prokurorial (Prokurori i Përgjithshëm dhe Kreu i SPAK) po krijon paqartësi dhe sfida në zbatimin e reformës, duke e vënë në pikëpyetje efikasitetin e sistemit të ri të drejtësisë.
/rtsh.al/