E Hënë, 2 Nëntor 2026

Problematikat e krijuara në trafik, plan i ri për menaxhimin e trafikut për autostradën Tiranë-Durrës

Për shkak të problematikave të krijuara në trafik si pasojë e punimeve për riparimin e shtresave asfaltike, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hartuar një Plan të ri të Menaxhimit të Trafikut për autostradën Tiranë-Durrës.

Ky plan parashikon bllokim të qarkullimit në orët e natës në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit.

Duke filluar që nga sot, 14 tetor, qarkullimi do të ndërpritet çdo natë, nga ora 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Bllokimi do të aplikohet në drejtimin Vorë-Durrës, sipas segmenteve të mëposhtme, me kohëzgjatje punimesh 1-2 ditë për çdo segment:

Vorë-Maminas

Maminas-Sukth

Sukth-Fllakë

Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit

Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit

ARRSH u kërkon të gjithë përdoruesve të rrugës që, gjatë orareve të bllokimit, të devijojnë në rrugën alternative: Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës.

Pas përfundimit të punimeve në drejtimin Vorë-Durrës, do të nisë puna edhe në krahun tjetër, Ura e Dajlanit-Vorë, duke ndjekur të njëjtat segmente dhe afate kohore.

ARRSH thekson se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për rehabilitimin e aksit rrugor dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të zgjedhin rrugët alternative për të lehtësuar procesin e punës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›