Debate në Këshillin për Rregulloren për mandatin e Vullnet Sinajt

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin zhvilloi sot mbledhjen e radhës, me rend dite vijimi i mbledhjes për mocionin nga 1/10 e deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatitimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”.
Mbledhja nisi me debate mes deputetit socialist Vullnet Sinaj dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi akuzoi deputetin Sinaj se ka përfituar nga buxheti i shtetit.
“Ke vjedhur buxhetin e shtetit. Ti je individ që në kundërshtim me kushtetutën ke futur duart e tua në buxhetin e shtetit. Ditën që do fus duart në buxhetin e shtetit dhe pasuritë publike do duhet të më bëhet gjyq publik, do duhet të shkoj në burg, në Gjykatë Kushtetuese. Pa diskutim, ditën që do i prek një qindarkë buxhetit të shtetit, të jesh i sigurt që do jemi nderuar të jem i akuzuar”, tha Bardhi.
Ndërsa, Sinaj u shpreh se nuk do të tolerojë këtë sjellje të Bardhit.
“Unë s’jam i akuzuar. Unë jam ai që akuzoj atë që ka shkatërruar pronën e shtetit. Nuk i ke thënë punës mirëmëngjes një ditë. Nuk të toleroj. Unë s’kam vjedhur, bëj biznes të ndershëm. Sikur të bënin të gjithë biznes të ndershëm siç bën biznesi im. S’të lejoj fare ty, se ti ke gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe do vjellësh tërë jetën. Do e tregojë historia punën tënde”, tha Sinaj.
Ndërsa Bardhi iu drejtua kryetares së Kuvendit, e cila drejton mbledhjen se, “nëse deputeti është si drejtues i mbledhjes na thuaj. E mori fjalën pa ia dhënë ju”.
“Zotëri unë i kam dhënë lekë buxhetit për dëmin që kam shkarkuar, ti ke futur duart në buxhetin e shtetit. Na thuaj edhe lejet e ndërtimit që ke marrë në Tiranë. Ata që fusin duart në buxhetin e shtetit, siç je ti, do kesh gishtin gjithmonë të ngritur sepse ke shkelur Kushtetutën”, tha ai.
Sinaj u përgjigj se, “s’kam marrë asnjë leje ndërtimi, e themi publikisht, vetëm leja para se të bëhesha deputet për biznesin. Ti vazhdon të gënjesh, se s’të lë vesi. Je gënjeshtar dhe shpifës”.
Pas debateve, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka ndërprerë mbledhjen disa minuta.
Në vijim të mbledhjes iu dha fjala deputetit Vullnet Sinaj, i cili përfaqësohej nga avokatja Romina Zano. Zano foli për ligjshmërinë e mandatit të deputetit, Vullnet Sinaj, ndërsa nënvizoi se provat e paraqitura nga grupi i deputetëve, nuk përmbajnë asnjë element të mjaftueshëm për të provuar papajtueshmërinë e deputetit Sinaj.
Debati për mandatin e deputetit Sinaj, Çuçi: Të presim opinionin e Venecias dhe pastaj shkojmë në seancë
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, në fjalën e tij propozoi që të pritet opinioni i kërkuar nga Komisioni i Venecias për mënyrën se si duhet të votojnë deputetët në raste të tilla.
Kujtojmë që tashmë në këtë komision është dërguar një kërkesë për opinion lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
“Nuk jemi ne që e vendosim nëse jemi në kushtet që ka apo jo papajtueshmëri me mandatin. Zoti Sinaj ka bërë gjithë përpjekjet në hapësirat e tij për të shmangur konfliktin e interesit. Por këtu nuk jemi për këtë. Është Gjykata Kushtetuese që e vendos këtë gjë. Si shkon në Gjykatën Kushtetuese konstatimi për një çështje të tillë? Kjo është pyetja. Ne jemi në pritje të një opinioni të Komisionit të Venecias dhe nëse ky Komision e konstaton një paqartësi kushtetuese është detyra jonë ta sqarojmë këtë çështje. Unë si deputet nuk detyrohem nga askush të marr një vendim të caktuar apo të votoj në një forme te caktuar. Për të zgjidhur këtë konflikt kemi kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias. A do të shkojmë në seancë po njësoj siç kemi vepruar deri më tani apo të presim opinionin e Venecias dhe pastaj t’i shkojmë seancës? Propozimi im është të presim opinionin e Komisionit të Venecias dhe pastaj të shkojmë në seancë”, deklaroi Çuçi, teksa theksoi se në bindjen e tij deputeti Vullnet Sinaj nuk ka përfituar fonde publike përmes kompanisë ku ai ka aksione.
Pas debateve u vendos që relatorët e mazhorancës dhe opozitës të përgatisin draftraportet për t’i paraqitur në mbledhjen e radhës së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.