Rama: Ata që derdhin lot krokodili, lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dënoi sot gjuhën e urrejtjes që nxit dhuno kudo në rrjetet sociale, ekranet e televizorëve apo dhe vetë sallën e parlamentit.
Ai deklaroi sot se, qeveria është e angazhuar për të lehtësuar fëmijët nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale.
Në një dalje për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Rama nënvizoi se, “tragjedia e nxënësit 14-vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës “Fan Noli” është shumë e madhe për t’u futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudoelitë politike dhe mediatike, e cila përditë, përnatë devijon çdo interes kombëtar dhe publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe me hallet e popullit”.
Rama theksoi se, edhe vetë salla e parlamentit të Shqipërisë është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës.
“Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetarë për të kuptuar se gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vet të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tanë, përfshirë dhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës, duke përfshirë edhe vetë sallën e parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës”.
Rama i siguroi të gjithë prindërit se personalisht është shumë i vetëdijshëm dhe plotësisht i angazhuar që të bëjë të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale.
“I siguroj të gjithë prindërit se personalisht unë jam shumë i vetëdijshëm dhe plotësisht i angazhuar që në pjesën time të fronit, së bashku me kolegët e qeverisë të bëjmë së bashku me ta të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët tanë nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur në tërësi cilësinë e sigurisë së tyre”, tha Rama
Kreu i qeverisë nënvizoi se pret me padurim rezultatet e Këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve lidhur me qasjen që duhet zgjedhur ndaj TikTok-ut, Snapchat-it apo të dyve bashkë.
“Pres me padurim rezultatet e këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve lidhur me qasjen që duhet të zgjedhim së bashku ndaj TikTok-ut, Snapchat-it apo të dyve bashkë. Sepse nga të gjitha hulumtimet tona janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe të akteve të bullizmit deri dhe në pastaj një tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet me patjetër të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me një përgjigje sa më efektive”, tha Rama. /j.p/