E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Komisionin e Ekonomisë për përfshirjen e më shumë fermerëve në skemën e kompensimit të TVSH-së

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, përmes së cilit mbështetet prodhuesi bujqësor (fermeri) nëpërmjet rishikimit të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë, duke prezantuar një normë dhe procedurë të re të kompensimit të prodhuesve bujqësorë.

Me anë të këtij projektligji synohet që fermeri të kompensohet me një normë prej 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), e paguar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, në funksion të realizimit të aktiviteteve të tij prodhuese bujqësore.

Objektivi i këtij projektligji është edhe përfitimi i kompensimit nga fermeri në një mënyrë sa më efektive e funksionale nëpërmjet administratës tatimore.

Deputeti i Partisë Demokratike Enno Bozdo si dhe ai i PS-së, Erion Braçe propozuan amendamente për projektligjin të cilat nuk u miratuan nga Komisioni.

Bozdo kërkoi që të përfshihen edhe dy grupe të tjera që aktualisht janë të përjashtuara nga kompensimi, pavarësisht se janë të formalizuar dhe lëshojnë faturat e TVSH-së. Grupi i parë përfshin fermerët që vetëfaturohen nga subjekte të TVSH-së, ndërsa grupi i dytë përfshin bizneset e vogla që nuk janë subjekte të TVSH-së, siç janë baxhot, por që gjithashtu janë të formalizuara.

Bozdo sugjeroi gjithashtu që periudha e kompensimit të reduktohet nga 6 muaj në një periudhë më të shkurtër, mujore, për të lehtësuar procesin dhe për të shmangur burokracinë.

Deputeti Erion Braçe kritikoi qëndrimin e Ministrisë së Financave, duke theksuar se politikat aktuale kanë kontribuar në rënien e sektorit të bujqësisë për katër vite me radhë dhe kanë pasur një ndikim negativ në PBB. Ai vuri në dukje se propozimet e bëra, si ato të Bozdos për përfshirjen e më shumë grupeve në skemën e kompensimit të TVSH-së, janë profesionale dhe duhen marrë parasysh.

Braçe theksoi se bujqit që shesin drejtpërdrejt në tregjet bujqësore duhet të përfitojnë nga kompensimi, pavarësisht se nuk i shesin grumbulluesve të regjistruar.

Ai kritikoi gjithashtu skemën aktuale të TVSH-së, duke theksuar se importet me çmime më të ulëta po dëmtojnë prodhimin vendas, dhe se skema e propozuar e TVSH-së do të çojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe uljen e çmimeve për fermerët, duke rritur presionin mbi grumbulluesit dhe përpunuesit.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, ka mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj këtyre propozimeve. Yzeiri vlerësoi propozimet e deputetëve si profesionale, por theksoi se për momentin nuk mund të bëhen ndryshime në skemën e propozuar.

“Pozicioni ynë deri tani është që skema do të mbetet kështu, pasi jemi në një proces afrimi me direktivat e BE-së, dhe kështu si jemi në këtë moment, do të afrojmë më lehtë këtë skemë. Sa i përket periudhës së kompensimit, praktika europiane është rimbursimi një herë në vit, ndërsa ne e kemi zbritur në 6 muaj. Dhe përsëri, në një moment të integrimit në tregun e përbashkët europian, do të duhet të rishikojmë edhe këtë periudhë, duke qenë se praktika është për një vit. Gjykimi i Ministrisë së Financave është t’i mbetemi propozimit të ardhur nga Këshilli i Ministrave”, tha ai.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›