Dekorimi i vezëve të Pashkës, çelet në Korçë ekspozita e parë ndërkombëtare

Në qytetin e Korçës është çelur një ekspozitë e veçantë ndërkombëtare kushtuar dekorimit të vezëve të Pashkës, një iniciativë që ndërthur artin, traditën dhe simbolikën shpirtërore të kësaj feste të rëndësishme.
Ideja për këtë ekspozitë lindi gjatë një vizite në Rumani, ku organizatorja Maria Shukulli u njoh me një muze të dedikuar vezëve të Pashkës.
“Kjo është ekspozita e parë në Shqipëri dhe në rajon, pasi kjo traditë vezësh është e përqendruar vetëm në Evropën Lindore, si Rumani, Poloni, Ukrainë. Veza si simbol shfaq fillimin e tij, ringjalljen, shpresën, jetën dhe brenda këtij simboli fshihet një botë e tërë dhe ky është mesazhi që përcjell, që brenda diçkaje të vogël, mund të fshihet në botë e tërë kuptimesh”, u shpreh organizatorja Maria Shukulli.
“Kemi vendosur Korçën se kam bindjen se qyteti ku Pashkët festohen më mirë. Është një ekspozitë shëtitëse dhe do e çojmë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh kuratori Julian Napoloni.
Autorët e veprave janë kryesisht artiste të reja nga vende të ndryshme të Evropës Lindore, si Ukraina, Polonia dhe Rumania, duke i dhënë ekspozitës një dimension të gjerë ndërkombëtar. Ekspozita dallon për faktin se nuk paraqet thjesht vezë të dekoruara, por vepra arti që mbartin simbolikë të thellë.
Vezët janë realizuar me dyllë dhe bojëra organike, duke ruajtur autenticitetin dhe traditën. Kjo është hera e parë që një ekspozitë e tillë organizohet në këtë formë, me synimin që të kthehet në një traditë të përvitshme.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/