E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i Policisë së Shtetit në Berlin, fokus te parashikimi strategjik për Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Një delegacion përfaqësues nga Policia e Shtetit mori pjesë në seminarin “Parashikimi Strategjik për Ballkanin Perëndimor”, zhvilluar në Berlin.

Policia njofton se delegacioni pjesëmarrës në Seminarin e organizuar nga Policia Federale Gjermane dhe ekipi i projektit “SCOPE”, kryesohej nga drejtori i departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati dhe nga drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj.

Sipas Policisë, në fokus të diskutimeve dhe ndërveprimeve gjatë seminarit, ishin metodat e reja operacionale, aplikimi i të cilave do t’i bëjë agjencitë ligjzbatuese të jenë pararojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkombëtar.

Gjithashtu, gjatë seminarit u diskutua mbi vigjilencën që duhet të tregojnë agjencitë ligjzbatuese, për t’iu paraprirë dhe për të menaxhuar në kohë ndryshimet sociale, si dhe evidentimi dhe vlerësimi i kapaciteteve hetimore dhe operacionale në funksion të së ardhmes.

Në njoftim thuhet se nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë seminar tejet informues dhe frymëzues, u shkëmbyen praktikat dhe metodat më të mira, u prezantuan teori të ndryshme mbi përmbushjen e detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, u forcuan më shumë urat e bashkëpunimit me partnerët gjermanë, si dhe u krijuan kontakte të reja, në funksion të bashkëpunimeve të mëtejshme.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›