Demo: Arkitektë të huaj për ndërtimin e shkollave e çerdheve, digjitalizim i shërbimeve vendore

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se arkitektë të huaj do të angazhohen për ndërtimin dhe restaurimin e shkollave dhe çerdheve publike në bashkitë e vendit, në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Sipas tij, një program i veçantë në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) do të mundësojë ardhjen e ekspertëve ndërkombëtarë, me synim përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe standardeve të ndërtimit.
“Një program i posaçëm, në bashkëpunim me AZHT, do të sjellë arkitektë të huaj për ndërtimin dhe restaurimin e shkollave dhe çerdheve publike, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për komunitetet”, u shpreh Demo.
Ministri bëri të ditur se deri më tani janë identifikuar 82 objekte në rreth 47 bashki, të cilat do të përfitojnë nga ky program.
“Janë 82 objekte të evidentuara në rreth 47 bashki që kanë kthyer përgjigje dhe do të përfshihen në këtë program, për të siguruar kushte dhe standarde më të mira për shkollat dhe çerdhet”, tha ai.
Në vijim, Demo theksoi se qeveria po avancon edhe me nisma për digjitalizimin e shërbimeve vendore, përmes një programi të financuar nga Banka Botërore.
“Po ndërtojmë një hartë për shërbimet lokale që ofrohen aktualisht në mënyrë digjitale dhe angazhimi proaktiv i bashkive është shumë i rëndësishëm në këtë proces për digjitalizimin e plotë të të gjitha shërbimeve në nivel lokal”, u shpreh ministri.
Gjithashtu, bëri të ditur Demo, në bashkëpunim me AKSHI-n dhe Ministrinë e Financave, po punohet për ngritjen e një sistemi modern të menaxhimit financiar në nivel vendor, sipas standardeve më të mira.
Sa i takon bashkive të prekura nga tërmeti, Demo bëri të ditur se po vijon puna për përfundimin e plotë të rindërtimit dhe restaurimit të objekteve.
“Për bashkitë e prekura nga tërmeti, po rakordojmë përfundimin e plotë të procesit të rindërtimit dhe restaurimit”, përfundoi ai fjalën në takimin e mbajtur sot me kryetarët e bashkive për Punët e Shqipërisë.
/e.xh/a.f/