Rama: Bashkim i strukturave për planifikimin dhe fokus te strehimi

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”.
Gjatë takimit kryeministri u ndal edhe te mbështetja për bashkitë në fushën e planifikimit urban, duke theksuar vënien në dispozicion të Agjencisë së Planifikimit për projekte nga arkitektë të huaj që punojnë në Shqipëri, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë me projekte pro bono.
Ndërkohë, ai theksoi se qeveria po përgatit një ndryshim të rëndësishëm ligjor për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Rama u shpreh se aktualisht ekzistojnë tre struktura të ndara, planifikimi, zhvillimi i territorit dhe strehimi, të cilat pritet të bashkohen në një të vetme, me qëllim vendosjen e një theksi të veçantë te strehimi, jo vetëm social, por edhe i përballueshëm për qytetarët që janë në pamundësi për të siguruar një banesë.
“Ministri foli për shkollat dhe për vënien në dispozicion të Agjencisë së planifikimit përsa i përket mbështetjes së bashkive me projekte nga arkitektët e huaj që punojnë në Shqipëri. Ata janë shumë të gatshëm, flas këtu për projekte pro-bono, pa pagesë”, tha Rama.
“Ndërkohë që ne po bëjmë gati një ndryshim të rëndësishëm ligjor përsa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit që fillon nga Agjencia. Sot kemi 3 agjenci, 3 struktura, kemi planifikimin, kemi zhvillimin e territorit kemi dhe strehimin veç, do të bashkohen bashkë sepse do të duhet t’i vëmë një theks të veçantë strehimit, jo thjesht social por edhe të përballueshëm. Janë në pamundësi për të marrë një shtëpi. Për këtë do të organizojmë. Po punojmë për disa programe të veçanta siç jemi zotuar në fushatën e zgjedhjeve të vitit të shkuar”, theksoi Kryeministri.
/gj.m/a.f/