E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Blerja pa faturë, dëm fiskal dhe rrezik për sigurinë ushqimore

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një intervistë në media sot theksoi rëndësinë e faturimit në çdo transaksion tregtar, veçanërisht në sektorin agroushqimor.

Sipas saj, mungesa e faturës nuk përbën vetëm një humbje fiskale për shtetin, por edhe një kërcënim real për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

“Ka ardhur koha të kuptojmë se blerja pa faturë nuk është vetëm një dëm fiskal. Ajo është gjithashtu një rrezik për sigurinë ushqimore, sepse kur mungon fatura, humbet gjurmueshmëria e produktit”, u shpreh Denaj.

Ajo tha se vetë, së bashku me ministrin e Financave, ka qenë në terren për të theksuar  rëndësinë e ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe operatorëve ekonomikë për këtë çështje.

Ministrja shtoi se përmes faturimit të plotë në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit, nga fara deri në tryezën e konsumatorit, garantohet kontrolli i cilësisë, siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit publik.

“Të kërkosh faturën është detyrim qytetar. Ajo ndihmon në gjurmimin e produktit dhe garanton që produkti është i sigurt për konsum”, theksoi Denaj.

Denaj bëri të ditur se Ministria e Financave është angazhuar në rishikimin e procesit të rimbursimit për fermerët, për të mbështetur më tej formalizimin dhe për të nxitur faturimin në të gjitha hallkat e tregtimit.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›