E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Plan konkret për zhvillimin e blegtorisë, në fokus rritja e numrit të bagëtive të imta

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste për media sot, theksoi nevojën për një qasje strategjike në sektorin bujqësor, duke vënë në dukje rëndësinë e orientimit të prodhimit bujqësor drejt kërkesave të tregut vendas dhe atij ndërkombëtar.

Ministrja Denaj apeloi që fermerët të mos punojnë tokën pa një plan të qartë, pasi kjo çon në humbje financiare dhe zhgënjim. Ajo njoftoi se Ministria ka hartuar një plan konkret për zhvillimin e blegtorisë, me theks të veçantë te rritja e numrit të bagëtive të imta dhe përmirësimi i infrastrukturës së vaditjes.

“Nuk mund të punojmë tokën për produkte që nuk i kërkon tregu. Nëse prodhimi nuk ka treg, rezultati është zhgënjyes për fermerët. Ne po hartojmë politika këshilluese që orientohen drejt tregut dhe i përgjigjen kërkesave të tij, si në aspektin vendor, ashtu edhe ndërkombëtar”, deklaroi Denaj.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror për të adresuar problematikat kryesore të bujqësisë, përfshirë sistemet e vaditjes, furnizimin me ujë për bagëtitë dhe amortizimin e infrastrukturës.

Në këtë kuadër, ministrja Denaj bëri të ditur se është përllogaritur një fond prej rreth 700 milionë euro për investime në bujqësi, përfshirë zgjidhje infrastrukturore dhe alternativa të reja zhvillimi për sektorin.

“Ne duhet të punojmë me mend se çfarë të mbjellin, ne nuk mund të punojmë tokën për një produkt që nuk e kërkon tregu. Pra, nëse e gjithë puna shkon për një produkt që nuk e kërkon tregu, ka frustim, prandaj dhe ne në ministri, unë e kam vendosur në një nga prioritet afatmesme të kërkuara nga Kryeministri, që ne të mendojmë se si të këshillojmë bizneset e angazhuara në fushën e bujqësisë të mbjellin produkte që edhe tregu i brendshëm, por edhe tregu i jashtëm i kërkon dhe i ka ardhur koha. Në raport me blegtorinë kemi një plan konkret që doli nga tryeza e përbashkët për bagëtitë e imta. Kemi menduar që të bëjmë një plan të mirëfilltë të rritjes së bagëtive të imta dhe të rritjes së infrastrukturës, në mënyrë që të shikojmë jo vetëm atë që i takon pushtetit qendror, por edhe atij vendor. Shpesh ka një ndarje të detyrave mes dy pushteteve. Vendet ku furnizohet me ujë bagëtia janë vende të amortizuara dhe absolutisht sot ka nevojë për ndërhyrje. Pushteti lokal duhet që ta përqendrojë ndërhyrje atje ku duhet, jo atje kur nuk duhet. Vaditja dhe ujitja janë aq shumë të rëndësishme, të cilat edhe për shkak të kushteve klimatike kanë një presion të burimeve ujore. Pra mund të kesh infrastrukturë, mund edhe të investosh, por nëse të mungon burimi e ke pothuajse të pamundur. Unë aktualisht ndjej presionin në gjithë Fushën e Maliqit në raport me vaditjen, ndjej presionin edhe të Myzeqesë, sidomos për zona të caktuara, apo edhe për cilësinë e vaditjes. Ne kemi një shpërndarje jo të njëtrajtshme të ujit, diku me shumicë e diku me pakicë, por kudo ndërhyrjet e infrastrukturës duhet që të bashkërendojnë pushtet vendor, pushtet qendror dhe fondet janë të konsiderueshme. Përllogaritet një fond për Ministrinë e Bujqësisë që do të jetë rreth 700 milionë euro, por nga ana tjetër kemi dhe mënyra alternative”, tha ministrja Denaj.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›