Denaj: Kantina e verës në Berat priti 20 mijë turistë në 5 muaj

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Kantinat e verës janë tashmë vlerë e shtuar në ofertën turistike, duke u kthyer në destinacione të preferuara për turistët e huaj.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e Admirit, që tregon se ky vit ka qenë shumë i mbarë, me një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve.
Denaj tha se, vetëm në gjysmën e parë të vitit, kantina është vizituar nga 20,000 turistë, duke e kthyer përvojën shqiptare të verës në një destinacion të preferuar për vizitorët e huaj.
“Etiketat shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, duke e bërë verën “Made in Albania” një zgjedhje të parë për të gjithë ata që kërkojnë cilësi, shije dhe autenticitet”, u shpreh ministrja.
Ndërsa Admiri tregoi se, në kantinë prodhohen vera të cilësisë së lartë që janë testuar nga ekspertë të huaj francez e austriakë.
“Në kantinën tonë ne u ofrojmë vizitorëve shëtitje në vreshta, degustim të verës, teksa vihet re një interes i shtuar i tyre për varietet autoktone të rrushit në rajonin tonë”, tha Admiri, teksa vuri në dukje se vera e prodhuar me varietetin autokton të rrushit puls, është ndër më të kërkuarat nga turistët e huaj.
Njëri nga turistët e huaj gjatë vizitës në vreshta, u shpreh se ky është një vend shumë i bukur për tu parë dhe siç tha ai, “Unë jam shumë i interesuar për verërat dhe nuk e kam parë kurrë këtë. Nuk jam profesionist por është shumë kënaqësi ta shohësh dhe shijosh rrushin në vreshta”.
Turistët në kantinën e verës në Berat 1 nga 5/a.f/