E Martë, 3 Nëntor 2026

Zakonjsek: Hekurudha Durrës-Tiranë do të jetë një histori suksesi, 10 projekte për modernizimin e 177 km rrugë

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek tha sot  se Shqipëria po zbaton nga 10 projekte që synojnë modernizimin e 177 km rrugë. Sipas tij, një projekt është dhe modernizimi i pikës kufitare të Kakavijës, që cilësohet si 1 ndër 11 pikat më të ngarkuara në rajon. Zakonjšek ishte të mërkurën i pranishëm në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku u “prezantua raporti vjetor i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit së bashku me anëtarët e Grupit të Gjelbër”. Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek, vlerësoi investimet në infrastrukturën rrugore në Shqipëri, që kanë rritur standardet duke ofruar më shumë siguri dhe lehtësi qarkullimi. “Në këtë kontekst, vijoi ai, mënyra e transportit, menaxhimi i tij në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e njëjtë si në vendet e tjera të BE-së, sepse do të ndjekë të njëjtin legjislacion, që do të thotë të njëjtat standarde dhe kjo është thelbësore në atë që po bëjmë ne si Sekretariati i Komunitetit të Transportit”. Zakonjšek vuri në dukje se, integrimi do të ndodh duke ecur në dy shina paralele: në fushën e legjislacionit dhe tjera zbatimi i projekteve. “Standardet dhe projektet duhet të ecin paralelisht. Nëse kemi projekte pa legjislacionin e duhur atëherë këto projekte nuk do të jenë të qendrueshme”, tha ai, teksa vuri theksin në avancimin e projekteve për zhvillimin e transportit ujor. Zakonjšek u shpreh se, “Shqipëria po avancon në përafrimin e legjislacionit me BE-në në fushën e transportit. Fokus mbetet 63% e volumit të legjislacionit të pa përshtatur ende me BE-në, ndërsa vendi ka përparuar në zbatimin e projekteve sipas planit të parashikuar nga komuniteti i transportit”. Ai u ndal tek rezultat pozitive që ka shënuar vendi. “Tashmë në Shqipëri është ngritur Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore dhe do të fillojë punën shumë shpejtë; Qendra e monitorimit rrugor, gjithashtu është funksionale ndërsa vijon puna për Strategjinë e transportit ujor. Shqipëria ka dalë nga lista e zezë e kontrollit të porteve dhe është ngjitur në zonën gri. Gjithashtu marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për transportin ujor po vijon”, tha Zakonjšek. Sipas tij, prioritet për të ardhmen, mbetet miratimi i planeve të reja të zhvillimit me  fokus tek të gjitha fushat e transportit. “Sa i takon transportit rrugor, evidentohet se Shqipëria po zbaton nga 7-10 projekte që synojnë modernizimin e 177 km rrugë. Ndërkohë që pika Kufitare e Kakavijës cilësohet si 1 ndër 11 pikat më të ngarkuara në rajon dhe do të ndërhyhet në modernizimin e infrastrukturës me qëllim uljen e kohës së pritjes për qytetarët dhe bizneset”, theksoi Zakonjšek. Ai bëri të ditur në lidhje me transportin hekurudhor se, “në Shqipëri kemi disa projekte. Projekti Tiranë-Durrës është drejt fazave të fundit dhe do të kemi modernizimin e plotë të linjës hekurudhore, ndërsa do të bëjmë lidhjen me Aeroportin e Rinasit dhe kështu Tirana do të ketë aeroportin e parë të lidhur me hekurudhë dhe kur të ndërtojmë rrjetin hekurudhor në rajon atëherë do të shikojmë lidhjen mes qyteteve. Durrës-Tiranë do të jetë një histori suksesi kur flasim për përdorimin nga qytetarët. Projekte të tjera që janë përmendur është ai korridorit të tetë dhe që lidh Tiranën me Podgoricën”. Gjetjet në raport ndalen edhe në zhvillimet që kanë ndodhur me aeroportet në vendin tonë.

“Në Shqipëri kemi një bum të aeroporteve, por duhet thënë se Tirana është numri 1 në rajon kur është fjala për shtimin e numrit të pasagjerëve dhe kjo lidhet me bukuritë e vendit dhe bregdetin dhe kjo ka sjellë dhe shtimin e presionit mbi infrastrukturën e vendit. Ne shohim që aeroporti i Tiranës po zgjerohet, po modernizohet, por është e nevojshme që të lidhet me hekurudhën. Aeroporti i Tiranas është një nga më domethënësit ndër projektet që po zbatohen”, deklaroi Matej Zakonjšek, Drejtor i Sekretariatit të Transportit.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›