Investimet në bujqësi, Denaj: Garancia sovrane, 70% e riskut mbulohet nga shteti

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se skema e garancisë sovrane për sektorin e bujqësisë mbulon 70% të riskut të kredisë nga shteti, duke krijuar një hapësirë reale për financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme bujqësore nga bankat e nivelit të dytë.
Në një intervistë në media sot, Denaj tha se bujqësia shqiptare nuk ka qenë ndonjëherë më shumë në fokusin e qeverisë se në vitet e fundit. Sipas saj, kjo mbështetje konkrete po përkthehet në investime të dukshme në infrastrukturë dhe kapacitete prodhuese.
“Garancia sovrane që mbulon 70% të riskut nga shteti, ka mundësuar që normat e interesit për kreditë bujqësore të ulen deri në 2%. Kjo është një ofertë që i adresohet të gjitha bizneseve në sektorin e bujqësisë, që nga mbjelljet e reja, ndërtimi i serrave, deri te linjat e përpunimit”, u shpreh ministrja.
Ajo bëri të ditur se në pesë vitet e fundit janë mbështetur 400 pika grumbullimi me dhoma frigoriferike, përmes kredive të buta dhe subvencioneve, si dhe janë zhvilluar 122 agroturizme në të gjithë vendin.
“Bujqësia po përfiton realisht nga politikat mbështetëse. Kemi ndërtuar një strukturë financimi të kombinuar, subvencione dhe kredi të buta, që synon rritjen e produktivitetit dhe modernizimin e zinxhirit bujqësor në çdo hallkë të tij”, theksoi Denaj.
/r.e//a.f/