Denaj: Rehabilitimi i kanalit ujitës në Kurbin, prodhim më cilësor në rreth 1000 ha tokë

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Projekti për rehabilitimin e kanalit ujitës U-15 në Kurbin, me një gjatësi prej 11 kilometrash, ka si qëllim kryesor përmirësimin e infrastrukturës ujitëse, garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për tokat bujqësore dhe rritjen e rendimentit bujqësor për fermerët lokalë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se punimet për rehabilitimin e kanalit po vijojnë dhe se ky investim përmirëson ndjeshëm ujitjen në gjithë zonën bujqësore me sipërfaqe rreth 1000 ha.
“Me përfundimin e këtij investimi, përmirësohet ndjeshëm ujitja në gjithë zonën bujqësore me sipërfaqe rreth 1000 ha, duke sjellë më shumë rendiment për fermerët dhe prodhim më cilësor”, deklaroi Denaj.
Sipas saj, investimet në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet arrijnë vlerën e 270 milionë dollarëve.
Sipërfaqja e tokës së ujitshme, tha ajo, është dyfishuar krahasuar me vitin 2013, nga 120 mijë hektarë në 270 mijë hektarë në 2024-n.
“Në 2030-n synojmë 100% ujitje për sipërfaqen e tokës bujqësore”, u shpreh ministrja Denaj.
/r.e//a.f/