E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Skema Kombëtare, mundësi për fermerët për teknologji të reja dhe produktivitet


TIRANË, 25 prill/ATSH/ Henri Troksi, një i ri nga Qafa e Priskës, Tiranë është një shembull i mirë i rinisë që ka vendosur të investojë në blegtorinë shqiptare. Me një tufë prej rreth 400 të imtave, ai përfiton në masën 100% nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2024.

Qumështin e tij e çon në baxho për prodhimin e produkteve cilësore “Made in Albania”, ndërsa një pjesë e të imtave përdoren për prodhime mishi, duke nxitur kështu ekonominë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vlerësoi punën e fermerit, teksa informoi se Skema Kombëtare e mbështetjes ofron mundësi të mëdha për fermerët dhe blegtorët që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitetet e tyre bujqësore dhe blegtorale.

Sipas saj, skema ofron mbështetje financiare deri në 100%, duke i ndihmuar ata të investojnë në teknologji të reja dhe të rrisin produktivitetin, për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe shtuar vlerën e produkteve vendase.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton të gjithë fermerët dhe blegtorët që duan të përfitojnë nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për vitin 2025 të aplikojnë online në portalin e-Albania. Afati i fundit për aplikim është 30 maj 2025.

“Përfitoni nga mundësitë që ofron Skema Kombëtare e Mbështetjes dhe kontribuoni në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare”, apeloi Denaj. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›