Xhelal Mziu dhe nipi i tij dyshohet se goditën zyrtarin në Ostren, çështja shkon në SPAK

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike Xhelal Mziu bashkë me nipin e tij E.M dyshohet se kanë goditur me grushte një zyrtar të njësisë administrative Ostren.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në fshatin Ostren të Bulqizës ditën e djeshme rreth orës 13:00 pas një takimi elektoral të zhvilluar nga Partia Demokratike
Policia ka referuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) rastin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, njoftoi policia.
Mziu është aktualisht drejtuesi i PD-së për qarkun e Dibrës, njëherësh edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit, pjesë e listës së mbyllur.
Mziu: Punonjësi i njësisë administrative po intimidonte pjesëmarrësit në takimin e PD-së
Vetë deputeti Xhelal Mziu ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke nënvizuar se situata është krejt ndryshe nga ajo që deklaron policia.
Sipas Mziut, punonjësi i njësisë administrative të Ostrenit po intimidonte pjesëmarrësit në takimin elektoral të PD-së.
“Në takimin e Ostrenit, në mënyrë demonstrative, punonjësi i ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë po intimidonte pjesëmarrësit, ku një pjesë u larguan pas këtyre kërcënimeve dhe një pjesë tjetër shprehën shqetësimin për heqjen e ndihmës ekonomike.
“Pas shqetësimit që ngritën vetë banorët e kësaj zone, kam komunikuar me personin në fjalë që rrinte përpara vendit të takimit, dhe i kam kërkuar të mos intimidojë qytetarët, e aq më tepër të mos përdorë pozicionin e punës për shantazhimin e qytetarëve me heqjen e ndihmës ekonomike në rast të mbështetjes dhe votimit për Partinë Demokratike. Madje e kam paralajmëruar se për veprimet e tij të paligjshme do ta kallëzoj në Prokurori”, thekson Mziu.
Sipas Mziut pas këtij paralajmërimi, personi në fjalë ka komunikuar me përfaqësues të Partisë Socialiste të cilët kanë mbërritur në vendin ku u mbajt takimi i PD-së.
“Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuesve të opozitës, kanë mbërritur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine”, shkruan Mziu.
Mziu i bën thirrje SPAK “të sekuestrojë pamjet e kamerave në zonë, dhe të hetojë ngjarjen ku janë dhunuar kryetari dhe përfaqësues së PD Bulqizë”. /j.p/