E Hënë, 2 Nëntor 2026

Denaj: Teknologjitë e reja, nxitje për rritjen e prodhimit bujqësor

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Përpjekjet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, institucioneve të linjës dhe fermerëve janë përqendruar për zhvillimin e bujqësisë duke e orientuar atë në përdorimin e teknologjive dhe praktikave inovative, si hapi i duhur në përmirësimin e prodhimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale momente nga fushat e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, në Korçë, ku testohen varietete të reja të grurit dhe patates.

Rezultatet e testuara në këtë qendër do t’i ndihmojnë fermerët në zgjedhjen e kultivarëve më të mirë për prodhim të lartë dhe qëndrueshmëri.

Implementimi i farërave dhe fidanëve më cilësorë, synon të përmirësojë kultivimin e gjerë të grurit dhe patates në rajonin e Korçës (e njohur tashmë për potencialet e prodhimit bujqësor), por edhe në mbarë vendin.

Sot Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) janë kthyer në referencë dhe po forcojnë rolin e tyre në orientimin e ekonomisë bujqësore.

/e.xh//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›