Rama: Operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, s’mund të ketë drejtor UKT-je me 30 këshilltarë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se është koha që vendi të ketë një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit.
Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive në Durrës, Rama theksoi se ky operator do të adresojë problematikat e furnizimit me ujë të pijshëm në vend.
“Uji, edhe këtu kemi nevojë për një reformë. Kemi filluar një punë paraprake, të gjitha llojet e eksperiencave e kalkulimeve që bëjmë na nxjerrin në konkluzionin se është koha për një operator kombëtar të sistemit të shpërndarjes së ujit, njësoj siç kemi Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, operator kombëtar që të adresojë në mënyrë korporative dhe jopolitike një çështje jetike, siç është çështja e furnizimit me ujë”, u shpreh Rama.
Rama pati edhe kritika në lidhje me punën e Ujësjellësit të Tiranës, ku theksoi se nuk mund të ketë një “drejtor UKT-je me 30 këshilltarë”.
“Një drejtor UKT-je me 30 veta në zyrë, kjo ishte drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës. Dhe çudi, ka pasur shumë, ka më pak, por ka tepër për një vend si Shqipëria që nuk e ka luksin që të vazhdojë të presë të konsolidohen ujësjellësit.
“Me bashki që arrijnë deri në absurditete si bashkia e Vlorës që financon dhjetëra-mijëra euro një TV privat. Keni parë kështu ju?!
“Nuk mund të vazhdojmë kështu, duhet të konsolidojmë këtë strukturë duhet të ndërtojmë një tjetër ndërmarrje, si ndërmarrjet që kemi në fushën e energjisë, të cilat nga gropa thithëse të buxhetit të shtetit janë kthyer në ndërmarrje me rregulla dhe bilance për të qenë dhe të gatshme të hyjnë në marrëdhëniet me bankat, e kështu me radhë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë po ashtu foli edhe për krijimin e një korporate kombëtare për sistemin e trajtimit të mbetjeve.
“Bazuar dhe në mësimet e dosidoshme që duheshin nxjerrë, me atë që ndodhi me drejtuesit e mbetjeve në tri bashki, ku përtej gjithë benefiteve të asaj pune, pati problematika të lidhura me gjithfarëlloj arsyesh, na duhet dhe aty të ndërtojmë një korporatë kombëtare që të merret me gjithë pjesën, jo me mbledhjen e mbeturinave, që është çështje e bashkive, por gjithë sistemit të trajtimit të mbetjeve.
Eksperienca, por edhe imazhi, edhe serioziteti i profilit të Shqipërisë sot, na jep mundësinë të hyjmë në marrëdhënie me kompani të mëdha të suksesshme në Evropë dhe botë për të bërë gjëra të duhura në këto drejtime, duke kapërcyer fazën e një vendi që merr borxhe, shpenzon lekë, merr borxhe, shpenzon lekë për këto lloj strukturash, siç janë ujësjellësit, që nuk mund të vazhdojnë që të jenë problemi ynë, por një nga armët tona më të forta”, tha Rama.
/m.q//r.e//a.f/