Kashta: Digjitalizimi i sistemit të prokurimit publik, një ndër arritjet më të rëndësishme

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit të Prokurimit Publik (APP), Reida Kashta, deklaroi sot se sektori i prokurimit publik ka kaluar një transformim rrënjësor gjatë tre dekadave të fundit.
Gjatë ceremonisë së 30-vjetorit të krijimit të këtij institucioni, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama si dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, Kashta nënvizoi se gjatë këtyre viteve, institucionet shqiptare kanë punuar për të garantuar integritetin, transparencën dhe efikasitetin e sistemit të prokurimit publik.
Ajo solli në vëmendje se pas viteve ’90, Shqipëria nisi ndërtimin e një sistemi modern të prokurimit, duke vendosur themelet e një kuadri ligjor të orientuar drejt praktikave europiane.
“Tre kuadra ligjore kanë shënuar zhvillimin e sistemit. I pari, në vitin 1995, që solli fillimin e një strukture të organizuar. I dyti, në 2006, që afroi kuadrin ligjor me standardet europiane. I treti, në 2020, që solli rregulla moderne, të harmonizuara me dispozitat ekzistuese, duke rritur transparencën dhe integritetin e procesit”, tha Kashta.
Reforma në prokurimin publik, sipas saj, është e vendosur brenda një kuadri strategjik të miratuar në 2020, të cilën APP e ndjek me rigorozitet.
“Një nga arritjet më të rëndësishme ka qenë digjitalizimi i sistemit të prokurimit elektronik, i cili nisi në 2009, duke thjeshtuar procedurat, ulur kostot administrative dhe rritur standardet e transparencës në çdo proces”, theksoi ajo.
Kashta vuri në dukje se rezultatet e reformave tashmë janë të konsoliduara dhe të vlerësuara pozitivisht nga raportet ndërkombëtare.
“Kemi bërë dy hapa të rëndësishëm, duke hapur rrugën drejt Bashkimit Evropian përmes kapitullit 5. Gjithashtu kemi bërë një rrugë shumë të mirë për anëtarësimin e Shqipërisë në marrëveshjen qeveritare në kuadër të OBT. Jemi shumë mirë në këtë proces, në një nivel të avancuar të negociatave, ku Bashkimi Evropian jo vetëm ka konfirmuar statusin tonë, por ka dhënë edhe mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në marrëveshjet globale”, tha ajo.
Drejtoresha u ndal dhe te rëndësia e bashkëpunimit rajonal.
“Së bashku me agjencitë homologe të rajonit dhe Turqisë, jemi të gatshëm të krijojmë një rrjet bashkëpunimi dhe ta mbajmë atë jo vetëm midis nesh, por edhe ta zgjerojmë me vende të tjera të BE-së. Kjo na ndihmon të përballemi së bashku me sfidat e përbashkëta”, u shpreh Kashta.
Kashta vlerësoi gjithashtu përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe Delegacionit të BE-së në vendin tonë për mbështetjen dhe dialogun konstruktiv që është zhvilluar intensivisht gjatë disa viteve të fundit dhe theksoi se pritet të mbetet i tillë të paktën deri në përfundimin e negociatave për kapitullin 5 të BE-së.
Drejtoresha falënderoi stafin e APP-së për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë 30 viteve.
“Prokurimi ka në qendër njerëzit. Pavarësisht reformave, nëse kemi njerëzit e duhur në qendër të procesit, do të arrijmë rezultate të qëndrueshme, si nga pikëpamja e administratës publike, ashtu edhe e luftës kundër korrupsionit”, tha ajo.
/a.f/