Dështon për herë të 14-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 11 maj /ATSH/ Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish sot – në përpjekjen e tyre të katërmbëdhjetë – ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Dështimi më i fundit ndodhi të dielën, kur kanë kaluar tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe sot kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të martën në mëngjes.
Në seancën e së dielës u pa edhe një mungesë më e theksuar e deputetëve, pasi të pranishëm ishin vetëm 92 deputetë nga 120 që ka Kuvendi i Kosovës.
Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.
Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.
Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Kushtetuta i jep të drejtë partisë fituese të propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe një ditë para seancës të dielën, kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, e përsëriti se partia nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut, duke thënë se është detyrë e të gjitha partive parlamentare ta konstituojnë Kuvendin.
Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës – që vjen nga Vetëvendosje – ka propozuar vazhdimisht formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Por, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, NISMA dhe Lista Serbe nuk po marrin pjesë në votim, duke e bërë të pamundur formimin e komisionit.
Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.
LDK-ja, e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse, e ka hedhur poshtë ofertën e Vetëvendosjes për koalicion qeverisës.
Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.
Ndërsa Vetëvendosje e ka kundërshtuar menjëherë idenë e një qeveri të tillë, partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnet për të biseduar.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar në daljen nga ngërçi politik.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se janë të hapura për të marrë pjesë në një takim me presidenten.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re. /REL/