E Martë, 3 Nëntor 2026

Dështon për të gjashtën herë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 25 prill/ATSH/ Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të premten në përpjekjen e gjashtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.

Haxhiu nuk u votua për kryetare në katër seanca radhazi.

Në nisje të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi sërish Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës.

Ai u kërkoi votën edhe partive të tjera, duke u thirrur në tentim për të zhbllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo është hera e katërt që Haxhiu propozohet për këtë post, pasi nuk ka arritur asnjëherë të sigurojë 61 votat e nevojshme.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u thirr sot për të gjashtën herë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se të pranishëm ishin 119 deputetë.

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, tha se ajo nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.

“Unë i qëndroj qëndrimit të partisë sime, ne nuk e ndryshojmë qëndrimin”, tha ajo. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›