Dështon seanca e parë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Kuvendi i Kosovës, në seancën e parë të jashtëzakonshme të mbledhur sot në mbrëmje, nuk i kaloi dot ndryshimet kushtetuese që presidenti të zgjidhet nga populli.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu njoftoi se seanca e ardhshme do të mbahet në orën 22:00.
Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani – që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit e jo nga Kuvendi – nuk kanë kaluar.
Të pranishëm ishin vetëm 93 deputetë, përfshirë 9 nga komuniteti joshumicë, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Për kalimin e tyre nevojiteshin votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet joshumicë.
Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 vende.
Prandaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk i hodhi fare në votim amendamentet dhe tha se do të ketë seancë të re. /REL/