Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë

PRISHTINË, 11 qershor /ATSH/ Kuvendi i ri nuk ka arritur të konstituohet as pas tentimit të 30-të, të mërkurën e 11 qershorit.
Në vazhdimin e seancës konstituive – që ka nisur më 15 prill – të pranishëm sot ishin 93 deputetë. Sërish nuk u votua formimi i një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit – propozim ky i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa.
Propozimi mori votat e vetëm 52 deputetëve, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
“52 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka asnjë, abstenim nuk ka asnjë, nuk kemi kuorum, atëherë ndërpritet seanca dhe shihemi më 13 qershor në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Çështja ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrijnë t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme për Albulena Haxhiun të cilën e kanë propozuar.
Të mërkurën seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit të Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshit i cili vdiq të martën, më 10 qershor.
“Dje kemi marrë lajmin se ka ndërruar jetë personaliteti i skenës politike të Kosovës, zotëri Bujar Bukoshi i cili në vitet ‘90 ka qenë edhe ish-kryeministër i Kosovës në ekzil, familjes, qytetarëve, u shprehim ngushëllime të thella dhe ju ftoj që ta nderojmë me një minutë heshtje”, tha Dehari.
/Kosovapress/