Osmani reagon për rastin e arrestimit të Spahiut, u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi

PRISHTINË, 11 qershor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me rastin e arrestimit të ish pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu.
Përmes një njoftimi në Facebook, Osmani ka thënë se veprimet e autoriteteve serbe janë të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90.
E para e vendit thotë se arrestimi i Spahiut është bërë mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme.
“Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”, u shpreh Presidentja.
“I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani.Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar angazhimin institucional të Kosovës lidhur me rastin në fjale. Njëkohësisht ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi. /KosovaPress/