Deti shkatërron shëtitoren e Kunës në Shëngjin, erozioni nga stuhitë ka vënë ne rrezik zonën e banuar

Stuhitë e fundit detare kanë gllabëruar bregdetin e Kunës në Shëngjin, duke dëmtuar rëndë shëtitoren kryesore të zonës. Krahas pishave qindra vjeçare, dallgët e detit kanë dëmtuar edhe trotuarin e rrugës kryesore në një gjatësi prej rreth 100 metrash, si dhe një biznes në këtë zonë.
Situata e krijuar është pasojë e erozionit detar, i cili ka marrë përmasa shqetësuese dhe po kërcënon drejtpërdrejt zonën e banuar të Kunës. Eksperti i mjedisit, Jak Gjini, thotë se nga viti 2017 e deri më tani, deti ka asgjësuar rreth 6 hektarë tokë ranore përgjatë një distance prej 6 kilometrash.
“Kemi që në 2017 deri në 2023 nga Shëngjini deri në grykëderdhje të Drinit, në një distancë rreth 6 km kemi një dinamikë të bregut duke u tjetërsuar në një mjedis detar”, tha eksperti i mjedisit.
Si zgjidhje emergjente shihet vendosja e dallëkthyeseve për të mbrojtur zonën e banuar të Kunës nga përparimi i detit.
Alarmi për erozionin detar në Shëngjin është dhënë prej vitesh, por ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për t’i bërë ballë këtij fenomeni të rrezikshëm, i cili çdo vit gllabëron sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha toke.
/rtsh.al/