E Diel, 1 Nëntor 2026

Diktatorët, në mbrojtje të Galerisë

Në pjesën e pasme të Galerisë Kombëtare të Arteve do të ngrihet një kopësht statujash. Kanë mbërritur diktatorët, Lenini dhe Stalini dhe priten dhe të tjerët. Sipas drejtorit Rubens Shima, janë pjesë e historisë së artit dhe duhen mbrojtur.

Kur u zbritën nga makinat me litarë të lidhur në fyt, si të varur pa jetë, turma kureshtare u mblodh menjëherë. Turistët e huaj, i kishin gati aparatët fotografikë, ndërsa shqiptarët nxorrën celularët nga xhepat dhe ndalnin çastin. Diktatorët i vunë pranë njeri tjetrit. Pas gati dy dekadash u kthyen sërish në qendër,në të njëjtën zonë, ku përshëndesnin hijerëndë shumë vite më parë, por jo më në ballë të bulevardit, por fshehur syve të gjindjes. Prej disa ditësh në oborrin e pasmë të Galerisë Kombëtare të Arteve kanë bujtur dy miq të vjetër. Janë Vladimir Iliç Lenini dhe Josif Stalini, dy baballarët shpirtërorë të komunizmit, diktatorët që u nderuan si perëndi edhe në Shqipëri. Mes viteve ’50-’60 monumentet e tyre zunë sheshe qytetesh, ndërsa emrat e tyre i morën ndërmarrje e kombinate. Të dergjur prej viteve të rrëzimit, në fillimvitet ’90, pranë Qendrës për Realizimin e Veprave të Artit, dy diktatorët tashmë po marrin frymë lirisht. Jo vetëm që kanë “zbritur” në qendër, por kanë marrë dhe statusin e veprave të artit. Drejtori i GKA-së, Rubens Shima, i ka marrë ata nga QRVA-ja në galeri, ku shumë shpejt do të jenë në shoqërinë e të tjerë diktatorëve. Në projektet për ristrukturimin e Galerisë Kombëtare të Arteve është edhe ndërtimi i një parku statujash, si pjesë e muzeut që pretendohet të ngrihet. “Veprat janë marrë me qëllimin e vetëm, që të jenë në konservim, në mbrojtje të GKA-së. Disa kanë vlera historike, disa më pak artistike, por sido që të jenë gjurmë historike, apo artistike, ato kanë të bëjnë me rrëfimin e madh të artit shqiptar dhe e konsideroj shumë e rëndësishme të jenë pjesë e koleksionit të galerisë”, - thotë drejtori Shima, i cili thotë se ato nuk rrezikonin të ktheheshin në skrap, por edhe më keq, të bliheshin nga një koleksionist përtej detit, për t’i pasur pjesë të koleksionit të tij. Sipas Shimës, tashmë po gjurmohen edhe statuja të tjera që dikur ishin vendosur në sheshe të ndryshme të Tiranës, apo qyteteve të tjera. “Kudo që të jenë veprat në bronx, ne do t’i marrim dhe do t’i bëjmë pjesë e koleksionit tonë”, - vazhdon ai. Ende nuk dihet saktësisht se cilët do të jenë “shokët” e kopshtit të statujave. Sigurisht nuk do të mungojë diktatori vendas, Enver Hoxha. Ai do të nxirret nga fondi ekzistues i GKA-së. “Nuk dihet se ç’u bë me monumentet që u ngritën nëpër Shqipëri. Monumenti që ndodhej në qendër të Tiranës, i gjithi në bronx,( u vendos në Tiranë në Sheshin “Skënderbej” në vitin 1988, por u rrezua në 20 shkurt të vitit 1991 nga studentët dhe populli i Tiranës) u zhduk pa lënë gjurmë, ndërsa të tjerët, të ndërtuar me mermerin e Karrarës u dëmtuan në vitet ‘90”, - thotë studiuesi Ylli Drishti. Fakt është që në oborrin e pasmë të GKA-së ndodhen dy udhëheqësit rusë. Monumenti i Leninit, një vepër e skulptores së parë shqiptare, Kristina Koljaka, ka dëmtime të rënda, i mungon një krah, por sipas drejtorit Shima nuk do t’i nënshtrohet asnjë lloj restaurimi. “Monumenti reflekton gjurmët e historisë, kohës. Fatkeqësisht ajo pati këtë histori, u hoq, u çmontua, iu pre një dorë… Pak rëndësi ka. E rëndësishme është që ne ta ruajmë ashtu si është”. Në të kundërt, Stalini është në gjendje më të mirë. Ky monument mësohet të jetë vepër e një skulptori të rëndësishëm rus, në Bashkimin Sovjetik, Nikolai Tomski, fitues i disa çmimeve kombëtare. Veprat e realizuara prej tij u vendosën jo vetëm Rusi, por edhe në Berlin, e gjetkë. Vepra erdhi në Shqipëri në vitin 1954 dhe u vendos me nderime madhështore, atje ku sot është monumenti i Skënderbeut. Të dy diktatorët kishin një lidhje pamore me Galerinë. Stalini ishte i vendosur me fytyrë nga Galeria, ndërsa Lenini me shpinë. Drejtori Shima thotë se këto ishin dy veprat më të vështira për t’u marrë dhe transportuar, për nga nga dimensionet që ato kanë. “Vetëm si masë bronxi janë 7 tonë”, - thotë Shima, pa harruar të falenderojë ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që e pa të udhës të ndërhyjë për kalimin e tyre në konservim të GKA-së, duke u bërë përfundimisht pjesë e koleksionit të galerisë. Drejtori shton se Galerisë i shtohen dy vepra monumentale dhe në njëfarë mënyre plotësohet edhe deficiti që ka galeriapër vepra të derdhura në bronx. Janë kryesisht vepra në allçi, që sipas tij nuk mund të ekspozohen.

Reagimet

Jashtë Galerisë

Sjellja e dy diktatorëve në galeri, mund të konsiderohet edhe si provokim nga ata që ende i kanë të pambyllura plagët e hapura gjatë diktaturës, por drejtori Rubens Shima, thotë se nuk merret me reagimin e njerëzve. “Nuk merrem me këtë çështje. Dua t’i shoh gjërat në një plan më të gjerë. Imagjinoni si do të jetë kjo histori pas 50 vjetësh. Do të kemi disa vepra që i takojnë një periudhe të dhënë. Duhet kuptuar që Stalini është ai që është, por për Galerinë e Arteve është biznes”, - thotë Rubens Shima. Për të këto monumente do të jenë ata që do të presin biletat e vizitorëve. “Sjellin të ardhura”,- thotë ai. Për të tjerë artistë, kjo ide, tashmë është e “konsumuar”. Kanë qenë vende të tjera në Lindje që e kanë bërë më parë një gjë të tillë. “Kurioze duket si ide, por e konsumuar. Do të ishte më mirë që në Galeri të ndërtohej një park figurash historike më mirë, se sa diktatorësh. Njerëzit janë ende shumë të ndjeshëm ndaj këtyre gjërave. Ai që ka humbur të afërmit e ka të vështirë të harrojë”, - thotë skulptori Artan Peqini, teksa shton se GKA nuk ka nevojë për ngjarje sensacionale, por për më shumë analizë. Për ish-drejtorin e GKA-së, skulptorin Genc Mulliqi, kjo është ide e realizuar më parë në vendet e Lindjes dhe nuk ka asgjë të keqe që një park i tillë të ngrihet në GKA, por sipas tij duhet pasur shumë kujdes. “Gjithçka varet nga mënyra se si do të konceptohet ky park. Si do të vendosen dhe çfarë do të vendoset. Me sa di kemi pasur vetëm kopje statujash, që nuk bartnin ndonjë vlerë artistike. Duhet që për këtë çështje të punojë një grup i tërë studiuesish, në mënyrë që të mos ngjajë me një glorifikim që i bëhet këtyre figurave, pasi njerëzit ende nuk janë gati të përballen me këto figura”, - thotë Mulliqi. Të tjerë artistë të pyetur nuk janë në dijeni të prurjes së këtyre statujave në GKA, që do të thotë se nuk e vizitojnë më aq shpesh këtë institucion arti. Por ka edhe nga ata që e vlerësojnë këtë iniciativë. Për skulptorin Perikli Çuli është shumë më mirë që këto monumente të merren në mbrojtje, se sa të shkatërrohen. Autor i “heroinave të Mirditës”, një monument i shkatërruar, Çuli, thotë se nuk ka gjë më të keqe se të shkatërrosh veten. Për të, këto monumente janë pjesë e historisë së artit, por edhe një kujtesë historike, që u kujton edhe atyre që kanë vuajtur se cilët ishin diktatorët. Për njerëzit që janë jashtë Galerisë, njerëzit e thjeshtë, e para vjen stepja. Ata më të rinjtë, që vetëm kanë dëgjuar për këto figura nga prindërit, vendosja apo jo e tyre në galeri, nuk përbën asgjë të veçantë. Janë indiferentë. Ndokush që ka dëgjuar diçka më shumë thotë se ky proces ka ndodhur edhe në ish-vende të tjera komuniste, mes të cilëve dhe në Berlin. Të tjerët, ata më të rriturit, që nuk e kanë vetëm me të dëgjuar ndahen në dy palë. Ata që nuk do të donin kurrsesi që statujat e diktatorëve të vendoseshin në Galeri, duke qenë se ata përfaqësojnë një nga pjesët më të errëta të historisë dhe është mungesë respekti për ata që vuajtën nëpër burgje. Por ka edhe nga ata që nuk shohin asgjë të keqe nëse ata vendosen në galeri, thjesht për të treguar historinë.

Intervista

Ka nisur puna për kthimin e Galerisë së Arteve në një muze arti. Më shumë tregim dhe më pak hapësira ekspozuese për artistët

Shima: Do ribëjmë historinë e artit

Ndryshim nga themelet. Këtë pretendon të bëjë me Galerinë Kombëtare të Arteve, drejtori Rubens Shima. Të ndërtojë një muze arti, ku periudhat të quhen me emrat e vërteta e të mos ngatërrohen me historinë e vendit. Ku njerëzit të kuptojnë se ç’ka ndodhur vërtet me artin shqiptar. Në Galeri është ngritur një grup pune që po merret me studimin e të gjitha periudhave një për një. Do të ketë përmirësime në infrastrukturë dhe më pak hapësira për ekspozitat e përkohshme. Në një intervistë për “Shekullin”, Shima tregon për projektet e tij, mes të cilave dhe atë të parkut të statujave

Ka nisur puna për transformimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku konsiston ky proces?

Ajo çka po ndodh në Galerinë Kombëtare të Arteve (dhe që dua të përfundojë në fund të tetorit) është rinovimi dhe rikonstruksioni përfundimtar i katit të dytë dhe të tretë, që do të shërbejnë si muze. Këto dy kate do jenë as më shumë e as më pak, por fytyra e GKA-së, koleksioni i veprave të artit të shtetit shqiptar. Do ta fillojmë me infrastrukturën. Kushtet janë skandaloze, nuk plotëson asnjë lloj standardi që kërkon vepra e artit për t’u ekspozuar. Do fillojë me urgjencë rinovimi i sistemeve elektrike, të ndriçimit për veprat, parketet, lyerja, për ta futur në parametrat normale. Për klimatizimin do ta bëjmë në mënyrë pjesore, pasi të fillosh një projekt nga fillimi kërkohet shumë kohë. Ky është një proces që unë e propozova që kur erdha (“Green building”) dhe nuk e kuptova përse u ndërpre në mes, por që do të vazhdoj ta konsideroj si një projekt shumë të rëndësishëm për galerinë. Meqënëse gjendja me të cilën ballafaqohemi kërkon ndërhyrje urgjente, klimatizimin do ta bëjmë pjesor.

Çfarë do të gjejë vizitori në këtë muze që pretendoni të ngrini?

Kushdo që vjen në GKA nuk kupton asgjë, as nga arti shqiptar, as nga realizmi socialist, as nga ajo periudhë që pa të drejtë e kemi quajtur periudha e Rilindjes. (Nuk ka periudhë të Rilindjes shqiptare). Ajo që ne duam të bëjmë është të ndërtojmë një muze si një proces didaktik, ku publiku, pse jo dhe artistët të vijnë dhe të kuptojnë historinë e artit. GKA nuk është historia shqiptare. Galeria merret me periudhat e rëndësishme që kalon arti, pse jo me modën dhe tendencat e kohës. Dhe pasi ta bëjmë këtë analizë të kujdesshme, që do ta nxjerrim nga studimi i gjithë fondit të GKA-së do të ndërtohet tregimi i artit shqiptar. Nga ana didaktike periudhat vijnë si vazhdimësi, por nga ana konceptuale lindin si refuzime të njëra-tjetrës. (Romanticizmi lindi sepse kundërshtoi neoklasicizmin, realizmi kundërshtoi romanticizmin dhe modernizmi realizmin). Këtë gjë historia e artit tonë nuk e ka, por kjo nuk do të thotë se punët nuk mbartin elementë të periudhave të ndryshme.

Thatë që nuk kemi periudhë Rilindjeje…

Ajo që rëndom është quajtur Rilindje, po ta shohësh me kujdes, nuk është gjë tjetër veçse periudha e Romanticizmit në Shqipëri. Me shumë vonesë, 100 vjet më pas Evropës erdhi edhe tek ne, por ka elementë tipikë të Romanticizmit. Kështu kemi “Motrën Tone” të një piktori që ka një magjepsje ndaj kostumeve popullore. Futen elementët e kombëtares. Kemi piktorin Simon Rrota, që merr kalin e Bonopartit dhe vë Skënderbeun. Është një tjetër pikturë “Çetë kaçakësh”, ku njerëzit janë shumë të vegjël e pemët shumë të larta, për të treguar raportin e njeriut me natyrën. Pra elementë të theksuar të periudhës romantike.

Më konkretisht si do të jetë vendosja e pavijoneve në muze?

Për të rregulluar lëvizjen e vizitorit në galeri është menduar që salla e Ikonostasit të mos jetë më (do të mendojmë se ku do ta vëmë). Në këtë hapësirë do të jetë një pavijon me një titull konkret, që i përket asaj periudhe arti, ku vihen re elementët romantikë, për të vijuar me atë proces realist, që pati shumë pak arti shqiptar, për të dalë tek realizmi socialist. Ajo sallë, ku sot është ikonostasi do t’i kushtohet realizmit socialist, duke e ndjekur hap pas hapi, për të kuptuar sa politik është, sa vepra politike zhvilloi. Por gjatë hulumtimit të koleksionit me shumë kujdes mbërritëm në një lloj konkluzioni,se edhe kjo periudhë ka një standard të dyfishtë. Pra ka një dyzim të autorit. Një tjetër vepër bëhej për politikën e kohës dhe një tjetër dimension dhe më intim, kishte në studiot e autorëve. Shpesh herë edhe në fondin e Galerisë raportohemi me vepra të të njëjtit autor me rryma tërësisht të kundërta. Me shumë kujdes po shikojmë edhe atë periudhë që u shoqërua nga një lloj liberalizimi në art, gjatë viteve ’69-‘73, që mund të quhet si ndër të parët elementë që mund të vijnë si trende të kohës, që mund të merren si elementët e parë të një lloj modernizmi. Jo në koncept, por në formë. Përmbajtja është tjetër gjë. Ndërsa në formë ka disa elementë. Sepse nuk ishte aq i ri sa mendohej edhe një ndikim i tillë. Edhe modernizmi nuk i takon pas viteve ’90.

Meqë jemi tek vitet ’90, çfarë keni zbuluar mbi të?

Në mënyrë jo korrekte quhet arti i pas viteve ’90, sepse tendencat e para të modernizmit i takojnë para vitve ’90. Pas këtyre viteve, kjo periudhë shfaqet e plotë. Ideja piqet dhe kthehet në formë. Por nga ana tjetër kemi autorë që përtypin të gjitha format e modernizmit. Kemi surrealistë, kubistë, impresionistë, ekspresionistë, pra një shpërthim të modernizmit 120 vjet më vonë. Pra e njëjta histori përsëritet në periudha të ndryshme në Shqipëri. Tregimi është shumë i bukur, unikal. Mendoj se është i vetmi vend, apo ndër të paktat vende që ka një eksperiencë të tillë, që duhet treguar e plotë. Nëse marrim segmente të veçanta dhe nuk do të konsiderojmë të tjera, kemi manipuluar, por në rast se do të tregojmë gjithë historinë e artit shqiptar, publiku do të kuptojë pse kemi pikturuar kaq vonë, pse tendencat vijnë kaq vonë.

Deri në ç’vit do të shtrihet kjo periudhë?

Ky muze do të mbyllet në vitet’95-’96, pasi veprat pas kësaj periudhe duhet të kalojnë atë që quhet kohë maturimi. Historia e artit vazhdon e përsëritet dhe do të jetë një presion shumë i madh i aktorëve që kanë në dorë të zgjidhin problemet e artit. Të kemi një vend alternativ, ku do të zhvillohet kjo periudhë, ndoshta jo si muze, por si një qendër alternative për artin bashkëkohor, që do të trajtojë problematikat e kësaj periudhe që quhet post modernizëm.

Cili është grupi i punës që po punon për këtë projekt?

Është një grup i drejtuar prej meje që po përfundon gjithë dixhitalizimin e fondit. Materiali pamor është i bollshëm. Për herë të parë kemi luksin të punojmë pa u futur nëpër “vrimat” e fondit. E kemi materialin gati dhe po studiohet. Ka edhe debate. Skuadra përbëhet nga grupi i studimit dhe kërkimit të GKA-së, por dhe anëtarë të tjerë (Artistët emergjentë), që janë atashuar brenda projekteve të ndryshme. Asgjë nuk do vendoset kaq thjeshtë. Mungesa e trashëgimisë shkencore në GKA na detyron të ndërmarrim një projekt shumë serioz artistik, por më së shumti shkencor, për të ndërtuar një linjë të konceptuar mbi bazën e koleksionit dhe ngjarjeve historike, për të ndërtuar muzeun didaktik.

Nuk mendoni se duhet të ftohen në këtë process më shumë studiues arti?

Studiuesit janë të mirëpritur. Dera e galerisë është gjithnjë e hapur, por nuk duhet të harrojmë që në këto 17 vjet nuk është bërë asgjë. Galeria nuk trashëgon asnjë lloj studimi për ndonjë periudhë arti. Kemi artikuj të paguar nga gazetat, por një studim të mirëfilltë, në galeri nuk ka.

Atëherë Galeria do të funksionojë vetëm si muze, po pjesa ekspozuese?

Kjo i përket fazës së dytë. Ky institucion ka qenë i paorientuar për faktin e thjeshtë se të gjitha stafet dhe energjitë shfrytëzohen për sallat poshtë dhe në GKA funksionojnë vetëm sallat e ekspozitave të përkohshme, ndërsa me pjesën kryesore të saj, muzeun nuk është marrë askush. Është bërë urgjente të fillojmë të adresojmë 80% të energjive drejt muzeut. Kjo nuk do të thotë se do të mbyllim sallat poshtë, por do të zvogëlojmë hapësirat, të cilat do të vendosen në funksion të koleksionit. Nëse na duhen më shumë hapësira për të treguar këtë narracion të artit shqiptar, nuk do të ngurrojmë të jemi dhe në katin poshtë. Për këtë ka një studim, që po bëhet dhe me arkitektët. Galeria nuk duhet të shihet si një pikë servisi, ku komuniteti artistik vjen të marrë vetëm atë që do. Nuk promovon artistët. Është sistemi i artit që e bën këtë gjë. Kjo pjesë do të adresohet drejt atyre ekspozitave që kanë karakter muzeal, që të ketë lidhje me gjithë funksionimin e këtij institucioni si muze. Zvogëlimi i këtyre hapësirave është një presion më shumë për ata njerëz që ndërtojnë, të ngrenë hapësira arti.

Po me vetë godinën e GKA-së , çdo të ndodhë?

Arkitektët do të analizojnë lëvizjen e vizitorit, për të parë në mënyrë sa më komode galerinë. Galeria e Arteve është një godinë e mrekullueshme e ndërtuar nga arkitekti Enver Faja, që studioi jashtë dhe ra nën ndikimin e shkollës së Bahauzit. Është godinë tipike moderniste me ca fshehje (kolonat ballore), për t’iu përshtatur kohës. Me volume të pastra. Tani është e pamundur ta identifikosh nga ndërhyrjet e drejtorëve në vite, por galeria ka sistemin e lëvizjes si një muze i huaj, ku nuk e kupton ky hyn e ku del. Këtë ritëm duam t’ia kthejmë galerisë. Pjesë e kësaj është edhe studimi i oborrit të pasëm të galerisë, për të ndërtuar edhe nesër një park skulpturash të rëndësishme historike, që dikur janë vendosur në sheshe të ndryshme të Tiranës, apo qytete të tjera. Pra një proces shumë shkencor pune, që duam ta shpallim në 2009-ën në infrastrukturë, duke ruajtur me fanatizëm identitetin e godinës. Madje edhe të njëjtin material nëse mundemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›