E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të takojë minatorët grevistë

Tiranë- Kreu i socialistëve, Edi Rama, në mbështetje të grevës së minatorëve ka bërë apel sot për një sërë masash të jashtëzakonshme që të ndalin shpërdorimin kriminal të pasurive minerare të vendit.

Ai i ka bërë thirrje edhe njëherë kryeministrit për të takuar grevistët dhe të mos u mohojë atyre të drejtën legjitime të dialogut me qeverinë për hallet e problemet e tyre jetike.

“Refuzimi për t’i takuar dhe mohimi i të drejtës së dialogut përbëjnë një mohim të turpshëm të ekzistencës së këtyre njerëzve, qytetarë e prindër në vështirësi ekstreme, të cilëve politika në pushtet u ka mbyllur çdo rrugë për të dalë nga situata tragjike ku ndodhen”- tha ai.

Rama ka kujtuar se minatorët shqiptarë janë sot një nga grupet shoqërore me të diskriminuara prej politikës së vjetër. Ata përballen me kërcënimin e përditshëm të vdekjes dhe me kushte jetese mesjetare në punë e në familje, për shkak të pasigurisë totale nga njëra anë e të skamjes nga ana tjetër.

Partia Socialiste, sipas tij, i ka propozuar Kuvendit një projektligj për të zbutur sadopak kushtet e tyre familjare duke bërë një rritje të arsyeshme të pensionit dhe kërkojmë që Kryeministri e forcat qeveritare ta miratojnë këtë propozim, duke korrigjuar gafën e Komisionit te Ekonomisë ku e hodhën poshtë me shurdhërinë e shumicës.

Ai ka bërë apel për një sërë masash te jashtëzakonshme që të ndalin shpërdorimin kriminal të pasurive minerare të vendit tonë, i cili vijon të marrë jetë njerëzish, të skllavërojë baballarë e fëmijë që shfrytëzohen egërsisht nga ajo që minatorët e quajnë “mafia e minierave” dhe të mbyllë hermetikisht derën e së ardhmes në këtë sektor ku duhet të fitojë sot e nesër ekonomia kombëtare, e jo të përfitojë vetëm një grusht përfaqësuesish e klientësh të pushtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›