E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i ligjeve hedh poshtë projektligjet për Spiunët

Komisioni i ligjeve mori në shqyrtim sot projektligjet për pastërtinë  e figurave të zyrtarëve të lartë. Në fillim mbajtën fjalën dy relatoret, Aldo Bumçi si përfaqësues i PD-së, dhe Arben Isaraj për opozitën.

Aldo Bumçi në relacionin e vet vlerësoi nismat në parim si një hap drejt pastrimit të administratës nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.

Ndërsa Isaraj në 13 faqet e tij të relacionit theksoi se të tre nismat, ajo e PDK-së, e Partisë Socialiste dhe PD-së, janë në papajtueshmëri të plotë me kushtetutën. Sipas tij tre nismat shkelin rreth 19 nene të kushtetutës, të të drejtave të njeriut, dhe një sërë ligjesh të tjera.

Prandaj ai kërkoi nga të tre propozuesit tërheqjen e të tria nismave dhe përgatitjen e një projektligji tjetër i cili të marrë parasysh përcaktimet që bën kushtetuta për të drejtat e njeriut.

Ndërkohë kreu i Demokristianëve dhe njëkohësisht Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, si përfaqësues i një prej nismave, duke folur para komisionit vlerësoi se nisma e tij ligjore i jep zgjidhje njëherë  e mirë problemit të pjesëmarrjes së ish bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në administratën e lartë publike. Ai bëri thirrje dy partive të mëdha të mbështesin nismën e tij.

Gjithashtu ai vlerësoi dhe mbështeti nismën e Biberajt si një propozim i cili përmban të tria nismat e hedhura në komisionin e ligjeve.

Gjithashtu në komision ka folur edhe deputeti Aleksandër Biberaj i cili ka kërkuar prej kryetarit të komisionit, Fatos Beja të përfshihet në diskutim projektligji i paraqitur prej tij.

Ai ka bërë të ditur se projektligji i paraqitur prej tij merr  parasysh të tre nismat e mëparshme ligjore dhe gëzon mbështetjen edhe të përfaqësuesve të PD-së. Por pretendimi i tij ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të komisionit Fatos Beja dhe kolegëve të tij demokrat, të cilët kanë argumentuar se nisma e tij nuk ishte paraqitur ende në Komisionin e Ligjeve. Sipas Bejës, sapo projektligji të vijë zyrtarisht në komision ai do të merret në shqyrtim.

Ndërkohë deputeti demokrat i Shkodrës, Ramiz Çoba duke ju referuar fjalës së Biberajt ka shtuar në komision se: “ai nuk ka të drejtë të flasi në emër të tre propozuesve”

Në përfundim komisioni ka vendosur që të mblidhet përsëri  për të përcaktuar hapa të mëtejshme për hartimin e një projektligji të integruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›