Dilema, a do të ulen çmimet apo do të rriten në 2027?

Këtë javë u publikuan 10 ndryshime ligjore, në taksa dhe tatime që do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.
Ekspertët, bniznesi dhe shoqatat ishin të papërgatitur për këtë paketë agresive që ndryshon tërësisht rregullat e lojës në vitin e ardhshëm.
Artan Xhiani, anëtar i Këshillit Tatimor, në një intervistë për gazetaren Rajmonda Lajthia në emisionin E-ZONE, tha se propozimet nuk ishin të pritshme.
“Në një mbledhje të mëparshme na u tha se nuk ka ndryshime fiskale të qenësishme. Por më pas, afro një javë më pas, na sollën një mori taksash dhe tatimesh që ndryshojnë. Ne nuk kemi as mundësi t’i analizojmë këto ndryshime, pasi koha është e pamjaftueshme. Por mes ndryshimeve të propozuara disa janë edhe kërkesa të biznesit të bëra ndër vite. Ndërsa ajo që ishte surprizë ishte rritja e normës bazë të TVSH-së nga 20 në 21%”, tha Xhiani në Vizion Plus.
Reklamë
Sipas tij, nga kjo paketë ka pikëpyetje se kush fiton, pasi efektet janë kompensuese të njëra-tjetrës.
“Nëse të gjitha institucionet do të funksionojnë në rregull, nga paketa fiton qytetari me uljen e çmimeve, si dhe me relaksimin e tatimit mbi pagat për shtresën e mesme. Por kjo kërkon një monitorim të mirë të situatës. Dilema është që unë nuk besoj se një ulje e TVSH-së në ushqime do të na sjellë një ulje direkte të produkteve. Madje rreziku është për rritje çmimesh në tërësi”, sqaroi Xhiani.
Paketa fiskale do të miratohet dhe më pas do të diskutohet në komisionet parlamentare.
/vizionplus.tv