E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa ndryshime jo të parëndësishme gjatë leximit të një deklarate

Nuk di pse deri më sot nuk është dhënë asnjë sqarim lidhur me Deklaratën për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, të cilën e lexoi kryeministri Thaçi, dhe tekstit të shkruar në këtë faqe, të cilat kanë një kontradiktë shumë të madhe ndërmjet veti dhe atë jo në cikërrime, por në gjërat, apo në terminologjinë e fjalëve përcaktuese të gjithë asaj që përmban Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në deklaratë është shkruar kështu: “...Nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën, Shtet të Pavarur dhe Sovran”, kurse kur e lexon kryeministri Thaçi, thotë: “...nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën Shtet të Pavarur dhe Demokratik”.

Nuk më duket serioze që në Deklaratën me shkrim të shkruhet një variant, kurse në deklaratën me gojë të (pa) lexuar para Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Ministrave dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Presidentit të LDK-së gjegjësisht të Republikës së Kosovës, mysafirëve, mediave e nëpërmes tyre edhe gjithë opinionit publik kombëtar e ndërkombëtar, të thuhet një variant tjetër. Unë nuk mund të besoj që kjo lojë është e rastësishme, sepse është një lojë që bëhet me fjalën kyçe të terminologjisë së pushtetshmërisë dhe ushtrimit të pushtetit, në dhe mbi gjithë territorin e Republikës.

Vetëm për sqarim, fjala SOVRAN do të thotë “... I lirë e i pavarur për të ushtruar pushtetin më të lartë, pa iu nënshtruar dikujt tjetër” etj., fjala SOVRANITET do të thotë “... e drejta që gëzon çdo popull e çdo shtet për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për çështjet e veta dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera, pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhri ose kontrolli nga të tjerët” etj., kurse fjala DEMOKRAT do të thotë “... përkrahës i parimeve dhe mendimit të lirë e demokratik...” etj., dhe fjala DEMOKRATIK do të thotë “...që bazohet në parimet e demokracisë, që u përmbahet këtyre parimeve e i vë në jetë ato...” etj.

Pra, siç e shihni, këtu kemi të bëjmë me dy fjalë që kanë krejtësisht kuptime të ndryshme, ku sovraniteti ka në thelb pushtetin, kurse demokracia ka në thelb parimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›