Kjo histori, në dukje e thjeshtë, përmban një mësim shumë të madh
Një tufë bretkosash po kërcenin gjithë gëzim dhe hare nëpër pyll, me atë kërcimin prej bretkose… Kur papritur dy prej tyre ranë në një gropë të thellë. Të gjitha bretkosat e tjera u grumbulluan rreth gropës për të parë nëse mund t’i ndihmonin shoqet e tyre. Por panë se gropa ishte shumë e thellë. Me ndrojtje dhe frikë filluan t’u thonin shoqeve të tyre se duhej të përgatiteshin për të pranuar fatin e tyre; vdekjen që e kishin kaq afër.
Jo të gatshme për ta pranuar këtë fat të tmerrshëm, dy bretkosat filluan të hidheshin me sa kishin fuqi. Bretkosat e tjera nga jashtë gropës, bërtisnin nga larg se nuk kishte asnjë shpresë për të dalë që andej. E ngjirën zërin duke ju thënë shoqeve të tyre që t’i ruanin ato pak energji që u kishin mbetur dhe t’u jepnin fund përpjekjeve të kota. Por bretkosat filluan të hidheshin edhe më fort dhe pas disa orë përpjekjesh të dështuara u këputën fare.
Më në fund njëra nga bretkosat, duke u shkuar pas thirrjeve të shoqeve të saj, u dorëzua. E dërrmuar dhe e dëshpëruar, ajo e pranoi fatin dhe ngordhi ashtu tek shoqet po e shihnin në pikëllim dhe mjerim të pashpresë. Bretkosa tjetër filloi të hidhej edhe më fuqishëm, megjithëse ishte tej mase e lodhur.
Bretkosat nga lart filluan sërish të bërtisnin duke i thënë që ajo t’u jepte fund mundimeve e dhimbjeve dhe të ngordhte e qetë, ashtu si ngordhi shoqja pranë. Por bretkosa e rraskapitur, vazhdonte të hidhej akoma, dhe ja: ndodhi mrekullia e mrekullive! Së fundi, ajo bëri një kërcim aq të lartë sa doli nga gropa. Të mahnitura, bretkosat e tjera filluan të festonin dhe të gëzoheshin për këtë mrekulli dhe e rrethuan të gjitha, duke e pyetur se si e arriti një gjë të tillë.
Po përse hidhej aq fort kur e shihte se, të dilte nga gropa, ishte thuajse e pamundur? Shpejt u mësua se ajo ishte... e shurdhër! Kur shikonte shenjat dhe të bërtiturat e tyre, mendonte se ishin të gjitha fjalë inkurajuese: “Jepi, forca, edhe pak, ti do t’ia dalësh mbanë!”. E ndihmuan që të hidhej gjithmonë e më fort, për të dalë që andej.
Kjo histori në dukje e thjeshtë, përmban një mësim shumë të madh dhe të rëndësishëm. Fjalët e mira, të buta e inkurajuese, mund ta ndihmojnë dikë gjatë gjithë ditës. Mund ta nxjerrin nga gropa!