E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita Botërore e Insulteve, Roçi: Në Shqipëri, 1 në 4 persona bën goditje në tru

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Në Ditën Botërore të Insulteve, dr. Ermir Roçi, neurolog pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, jep rekomandime mjekësore për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve vaskularo-cerebrale.

Insulti (ose goditja në tru) ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë, qelizat e trurit në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e infarktit.

Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur infarkti i trurit është i patrajtuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një njoftim zyrtar bën me dije se në Shqipëri, 1 në 4 persona bën aksident vaskularo-cerebral, ndaj ndërgjegjësimi, kujdesi dhe ndjekja e rekomandimeve të mjekut është i domosdoshëm.

Dr. Ermir Roçi, shprehet se koha çdo dëmtim i neuronit është i pakthyeshëm dhe me efekte fatale për pacientin, ndaj çdo minutë në kohën e trurit vlen.

“Një në katër persona bën një stroke në jetën e tij. Sëmundjet vaskulare renditen në shkallën e parë të vdekshmërisë. Për sa i përket invaliditetit të saj, sëmundjet neorologjike janë të parat. Është bërë një investim shumë i madh sa i përket teknologjisë në trajtimin e strokut. Që kur fillojnë shenjat klinike si mpirja, asimetria e fytyrës, mpirja e duarve, rëndesa e duarve, çrregullimet e të folurit, duhet të reagohet në kohë. Nëse pacienti fillon të ngatërrojë fjalët apo të flasë në mënyrë të pavullnetshme duhet të jetë një alarm. Duhet vepruar shumë shpejt me thirrjen e shërbimeve mjekësore, të mjekut në zonën më të afërt dhe menjëherë trajtimin në spital”, tha Roçi.

“Gabimi që bëhet është që pritet për përmirësim. Në QSUT trajtohen çdo ditë shumë pacientë me strokë. Nëse pacienti vjen në kohë, trajtohet për të kaluar paralizën, në parandalimin e strokut, ku ndikim ka jeta sedentare, diabeti, hipertensioni, stresi, etj.”, theksoi ai.

Dr. Roçi u shpreh se të gjithnjë njerëzit duhet  të kenë kujdes në trajtimin e sëmundshmërisë për parandalimin e strokës, sepse është shumë më e vështirë më pas nëse stroku ndodh.

29 Tetori njihet si Dita Botërore e Insulteve, një ditë ndërgjegjësimi për goditjen në tru, një gjendje serioze shëndetësore që kërkon veprim të shpejtë.

Qëllimi i kësaj dite është që të informohen qytetarët mbi shkaqet, simptomat dhe mënyrat e parandalimit të strokës, si dhe të nxitet kujdesi për shëndetin e trurit përmes ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe kontrollit të presionit të gjakut.

Njohja e hershme e shenjave mund të shpëtojë jetë dhe të zvogëlojë dëmet.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›