E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qendër e re komunitare në Gjirokastër, Kumbaro: Mbështetje gjithëpërfshirëse

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Një qendër komunitare e re në lagjen “Zinxhira” në Gjirokastër ka hapur dyert për banorët, duke ofruar mbështetje psikosociale, shërbime pas shkolle për fëmijët, edukim, asistencë komunitare dhe aktivitete gjithëpërfshirëse për komunitetin.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale pamje nga ceremonia e përurimit të qendrës së re.

“Ky investim është realizuar nga Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Bashkimin Europian, UNICEF dhe Institutin e Kulturës Rome, dhe synon të forcojë marrëdhëniet e kujdesit, respektit dhe dinjitetit në komunitet”, tha Kumbaro.

Ministrja u shpreh se qendra komunitare “Zinxhira” është një hap përpara në sigurimin e mbështetjes dhe përkujdesjes për të gjithë anëtarët e komunitetit në Gjirokastër.

Në praktikë, qendrat komunitare funksionojnë si një “shtëpi e dytë” për komunitetin, ku të rinjtë, familjet dhe të moshuarit mund të gjejnë mbështetje, edukim dhe aktivitete sociale në një mjedis të sigurt dhe të përbashkët. e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›