E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita e 110-të e protestës, thirrje për largimin e qeverisë dhe mesazhe drejtuar drejtësisë

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë vijuar sot, në ditën e 110-të, protestën e nisur si kundërshtim për investimin në Zvërnec, që më pas vijoi me artikulimin e kërkesave politike.

Qytetarët dhe aktivistët edhe këtë mbrëmje marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Marshimi u shoqërua me thirrje për largimin e qeverisë dhe të kastës politike 30-vjeçare, ndërsa nuk munguan as pankartat me mesazhe drejtuar sistemit të drejtësisë.

“Për një fjalë në shesh, populli arrestohet, kurse bejlerët dhe oligarkët i lini të pasurohen. SPAK, përgatit prangat për këtë pushtet, se populli nuk ndalet, po e mbron këtë shtet!”, shkruhej në njërën prej pankartave.

Nga foltorja e vendosur para Kryeministrisë, një qytetare u shpreh se “nuk kemi shtet”, ndërsa gjatë protestës u paraqitën edhe problematika ekonomike.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj mbajti fjalën e saj në protestën para Kryeministrisë, duke u shprehur se qytetarët janë të vendosur dhe nuk heqin dorë nga revolta.

Pas fjalimeve tek sheshi përballë Kryeministrisë, qytetarës vijuan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës.

Protesta, e cilësuar edhe si “Revolucioni i Flamingove”, nisi më 31 maj si reagim ndaj projektit turistik të planifikuar për t’u ndërtuar në Zvërnec. Megjithatë, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë artikuluar tashmë kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.

1 nga 8

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›