Dita e Verës, bashkia Elbasan plan masash për mbarëvajtjen e festës

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Në kuadër të aktiviteteve festive që organizohen nga Bashkia Elbasan me rastin e festës tradicionale të “Ditës së Verës” do të merren një sërë masash për mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Bashkia Elbasan njofton se duke filluar nga data 12-15 mars 2026 do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente të qytetit.
12 mars 2026: Segmenti nga Teatri “Skampa” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit” bllokohet (24 orë).
13-14 mars 2026: Bllokohet segmenti nga stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit” (48 orë).
15 mars 2026: Bllokohet segmenti nga stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit” (24 orë).
Për të shmangur trafikun dhe për të siguruar një lëvizje sa më të lehtëgjatë aktiviteteve festive dhe sportive në Elbasan, ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”.
Për këtë arsye, janë përcaktuar hapësira të veçanta parkimi për mjetet që vijnë nga drejtime të ndryshme:
Për mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit): Parkimi te Parku i Mallrave;
Për mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut): Parkimi te Shkolla e Formimit Profesional; Parkimi i ri te Varrezat Publike.
Për mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve): Parkimi te Shkolla Profesionale “Sali Ceka” dhe në afërsi të Doganës; Parkimi para stacionit të trenit.
Autobusët e linjës Tiranë-Elbasan do të stacionohen te Dogana, pranë shkollës Profesionale.
Autobusët e linjës Elbasan-Cërrik do të stacionohen tek ish-Ofiçina Rruga Ura, pranë tregut industrial.
Policia Rrugore dhe ajo bashkiake do të monitorojnë trafikun dhe do të drejtojnë mjetet drejt zonave të parkimit të përcaktuara.