KPA shkarkon ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot nga detyra ish-drejtuesin e prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili që prej korrikut të vitit 2024 gjendet në paraburgim, pasi u arrestua për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në disa çështje.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, i cili ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit marrë më 28 qershor 2024.
Prokurori Aurel Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit një muaj para se të arrestohej, pas një seance dëgjimore në të cilën nuk u vunë në dukje probleme që mund ta cenonin atë.
Pas arrestimit, vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
GJKKO ka shpallur fajtor Zarkën fajtor për akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Aurel Zarka komunikoi përmes aplikacionit Sky Ecc me ish-oficeren Erjona Daupaj për të ndërhyrë në fatin e dosjes Toyota Auris, si dhe në dy çështje të tjera në qytetin bregdetar.
/m.q/r.e/