Djegia e autobusit në Zvicër/ “Autori kishte ikur nga spitali”, gazetari Maliqi rrëfen detajet e pathëna: Një 32-vjeçar shqiptar hero, u fut mes flakëve për të shpëtuar njerëzit

Zvicra është tronditur nga një ngjarje e rëndë në kantonin e Fribourg-ut, ku një akt vetëflijimi u kthye në një tragjedi. Një autobus pasagjerësh u përfshi nga flakët agresive në fshatin Kerzers, duke lënë pas gjashtë viktima dhe pesë të plagosur.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, gazetari shqiptar në Gjenevë, Nefail Maliqi, ka rrëfyer detajet e kësaj ngjarjeje.
Sipas Maliqit, kjo ngjarje vjen në një moment kur vendi ishte ende nën tronditjen e një goditjeje të mëparshme.
“Para dy muajve Zvicra kishte një tragjedi në Crans-Montana. Ende pa u tharë mirë lotët për 24 viktimat, të martën u prek nga një tjetër tragjedi”, u shpreh ai, duke nënvizuar se autoritetet kanë punuar me shpejtësi për identifikimin e personave të përfshirë.
Tragjedia ndodhi kur një 65-vjeçar nga Berna, i cili ishte raportuar si i zhdukur nga spitali i qytetit, u lye me lëndë djegëse brenda në autobus dhe i vuri flakën vetes. Maliqi tregon se autori ishte një person me probleme të rënda të shëndetit mendor. “I dyshuari është një 65-vjeçar, i cili ishte një person me probleme të shëndetit mendor ose siç e kualifikon policia zvicerane si i margjinalizuar dhe i shqetësuar”, tha Maliqi
Gjashtë personat që ndërruan jetë dhe pesë të plagosurit janë identifikuar zyrtarisht. “Ndër viktimat e konfirmuara janë, shoferi i autobusit, një 63-vjeçar portugez. Dy gra të moshës 25 dhe 39-vjeçare si dhe dy meshkuj të moshës 16 dhe 29 vjeç, të gjithë banorë të rajonit të Kerzers-it”.
Mes viktimave ishte edhe Lara Baumgartner, prezantuese e Radio Energy në Bern, e cila po kthehej nga puna. “Një kolege shumë e mirë, raportuese e aftë e radios”.
Në mes të këtij tmerri, spikati akti i guximshëm i një 32-vjeçari nga Kosova, Faton Berishës, i cili ndodhej rastësisht në atë autobus. Megjithëse mbeti i plagosur, ai u përpoq të bënte të pamundurën për të shpëtuar të tjerët.
Dëshmitarët okularë kanë treguar se Fatoni nuk mendoi për veten, por u hodh në mes të flakëve. “Shqiptari u përpoq të shpëtonte pasagjerët, i cili rrezikoi shumë duke marrë lëndime. Duke filluar nga autori i krimit, të cilin u përpoq ta shpëtonte nga flakët edhe pse ishte lyer vetë me benzinë. Arriti të dilte nga autobusi me shumë vështirësi. Gjendja e tij tashmë është stabël.”
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, vizitoi vendin e ngjarjes në fshatin Kerzers për të bërë homazhe. Aty është një komunitet me 5500 banorë ku 40 për qind janë të huaj, mes tyre rreth 250 shqiptarë. Parmelin u shpreh se kombi po kalon një “kohë jashtëzakonisht të vështirë”.
Nefail Maliqi e mbylli dëshminë e tij duke analizuar një anë të errët të shoqërisë zvicerane që shpesh mbetet e fshehur pas imazhit të “vendit më të sigurt në botë”.
“Sipas statistikave, në Zvicër ka 1000 vetëvrasje çdo vit, nën ndikimin e alkoolit, të drogës, të pashpresë ose të dëshpëruar. Zviceranët i ka shqetësuar kjo ngjarje. Këto dy ngjarje e kanë ulur pak imazhin e Zvicrës”, përfundoi Maliqi.