E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani pret me festë ditën e verës – Aktivitete të shumta, rezervime në restorante e bujtina

Elbasani shkëlqimin e këtyre ditëve plot diell po e shton edhe me aktivitete të larmishme. Prej të hënës çdo moshë ka pasur mundësi të jetë protagoniste, por edhe të shijojë koncerte, ekspozita, kulinari, konkurse.

Gjetje për këtë vit është konkursi i Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan për gatimin e ballokumes tradicionale, një element i rëndësishëm i identitetit kulturor të zonës. Atmosfera do të jetë më elektrizuese falë aktiviteteve që do të mbahen gjatë këtyre 3 ditëve.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se “Do të kemi një sërë aktivitetesh më datë 13, ku do të fillojmë me tre panairet. Qytetarët dhe vizitorët do të vizitojnë panairin e ballokumeve, zejeve dhe bujqësisë, për të vazhduar me një koncert pasdite dhe në mbrëmje me një koncert festiv në qendër të qytetit.”

Koncertet do të vijojnë gjatë gjithë datës 14, të cilat pritet të shijohen nga shqiptarë nga të gjitha trojet. Interesi për të qenë në Elbasan këto ditë është shumë i lartë, çka e dëshmojnë edhe rezervimet në restorante e bujtina.

“Hotelet në Elbasan janë pothuajse të gjitha të rezervuara. Elbasani është gati për 13, 14, 15 për Ditën e Verës” – u shpreh kryebashkiaku.

Këtë vit festimet shtrihen edhe më 15 mars, me një ekspozitë të makinave Retro dhe koncertin “Një lulishte me trëndafila”.

Gazetare: N. Spahiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›