Djegia e automjetit me vlerë 100 mijë euro në Tiranë, Policia zbardh ngjarjen, arrestohet autori

Zbardhet brenda pak orësh djegia e qëllimshme e një automjeti me vlerë rreth 100 mijë euro, ngjarje kjo e regjistruar orët e para të mëngjesit të së martës (9 dhjetor) në rrugën “Memo Meto”.
Policia identifikoi, kapi dhe vendosi në pranga 39-vjeçarin E. Sh., banues në Tiranë, i dyshuar për djegien e makinës tip “Audi” në pronësi të shtetasit J. C., 44 vjeç. Sipas policisë, krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.
Gjatë veprimeve hetimore, uniformat blu sekuestruan veshjet që mbante 39-vjeçari gjatë kryerjes së veprës, të cilat do të shërbejnë si prova materiale.
“Tiranë/Zbardhet brenda pak orësh, djegia e qëllimshme e një automjeti me vlerë rreth 100 000 euro.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 44-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Memo Meto”, për motive të dobëta.
Sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, veshjet që mbante 39-vjeçari, kur kreu krimin.
Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 03:30, të datës 09.12.2025, në rrugën “Memo Meto”, ishte djegur automjeti tip “Audi” në pronësi te shtetasit J. C., 44 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Price”, brenda pak orësh, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime te mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/