“Do të të godas me grusht”, Spalletti shpërthen ndaj lojtarit të Juventusit, kamerat kapin momentin e tensionuar

Luciano Spalletti ka qenë protagonist i një momenti të tensionuar gjatë ndeshjes së Juventusit ndaj AZ Alkmaar, ku trajneri italian nuk e ka fshehur aspak zemërimin ndaj mbrojtësit Juan Cabal.
Sipas pamjeve të transmetuara gjatë takimit dhe leximit të buzëve të publikuar nga mediat, Spalletti iu drejtua me tone shumë të ashpra futbollistit kolumbian, duke i thënë: “Do të të godas me grusht, e kupton? E kupton?”.
Shpërthimi i teknikut bardhezi erdhi në një moment delikat të ndeshjes, pasi Juventusi, megjithëse kishte krijuar një avantazh prej dy golash, rrezikoi ta komplikonte situatën për shkak të gabimeve në prapavijë.
Pas golit të pësuar nga AZ Alkmaar, tekniku i Juventusit u pa duke qortuar ashpër Cabal, të cilin e kishte aktivizuar në minutën e 60-të. Sipas raportimeve të mediave italiane, trajneri i tha: “Nëse e bën përsëri, do të të godas me grusht!”
Reklamë
Juventusi arriti ta ruante fitoren 2-1, me golat e Teun Koopmeiners në minutën e 19-të dhe Randal Kolo Muani në të 37-ën. Vendasit ngushtuan diferencën në minutën e 88-të me Mexx Meerdink, ndërsa një tjetër gol i tyre në shtesë u anulua për pozicion jashtë loje.
Pas këtij suksesi, bardhezinjtë ndërprenë serinë e gjatë pa humbje të AZ Alkmaar në shtëpi në kompeticionet europiane. Sipas raportimeve, reagimi i Spallettit lidhej me pakënaqësinë për pozicionimin dhe përqendrimin e mbrojtësit në minutat e fundit të takimit.