E Premte, 6 Nëntor 2026

Porgresraporti i BE/ Musabelliu: Kurorëzim i një dyvjeçari intensiv. Shqipëria synon mbylljen e negociatave në 2027

schedule14:33 - 6 Nëntor, 2026

Progresraporti i Komisionit Europian për Shqipërinë konfirmon arritjet e shënuara në procesin e integrimit europian, por njëkohësisht nënvizon nevojën për vijimin e reformave me synim mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, në një intervistë për “Money Report”, e cilësoi raportin si kurorëzim të një periudhe dyvjeçare intensive, duke theksuar progresin në kapitujt e negociatave, përfshirë mbylljen e Kapitullit 30 për marrëdhëniet me jashtë.

Musabelliu u ndal edhe te sfidat e biznesit në kuadër të integrimit, duke bërë të ditur se qeveria po përgatit programe konkrete për rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjes shqiptare dhe përfitimin maksimal nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Progresraporti i BE-së për Shqipërinë ishte një lajm shumë i mirë dhe vjen si një kurorëzim i dyvjeçarit shumë intensiv të Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme të theksojmë se mesazhi i KE-së është që Shqipëria ka shënuar arritje, por duhet të vazhdojë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Është shumë e rëndësishme të theksojmë që ne kemi mbyllur kapitullin 30, të tregtisë, edhe të politikës industriale. Megjithatë, duhet të vazhdojmë me reformat.

Përparim është shënuar në të gjithë kapitujt që ne negociojmë. E rëndësishme është që edhe vitin e ardhshëm ne të mbajmë këtë ritëm përafrimi. Pasi kemi përafruar legjislacionin në kuadër të integrimit. Sa i takon mbrojtjes së konsumatorit, ne vitin e ardhshëm do të ngremë një agjenci që do t’i kushtohet mbrojtjes së legjislacionit.

E rëndësishme nuk është që biznesi të jetë gati për të hyrë në BE, por që biznesi të maksimizojë fitimet e anëtarësimit në BE. Është më e rëndësishme që biznesi të transformohet. Ne shumë shpejt do të kemi gati programin dhe do të nisim me aktivitete specifike. Do të ketë një shtyllë për sigurimin e konkurrueshmërisë. Të gjithë këta elementë përcaktojnë në tregun europian se sa konkurrues është ky produkt dhe çmimi i tij në treg”, u shpreh ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›