E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat: Pesë operatorë të rinj me statusin AEO në 6-mujorin e parë, totali shkon në 23

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Interesi i bizneseve për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) është në rritje, teksa gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026 janë autorizuar 5 operatorë të rinj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, numri i operatorëve të autorizuar në këtë periudhë është dyfishi i atij të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Me autorizimet e reja, numri total i Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar në Shqipëri ka arritur në 23.

Statusi AEO u jepet bizneseve që përmbushin standardet e kërkuara të besueshmërisë dhe sigurisë dhe u mundëson përfitimin e lehtësive doganore, trajtimit prioritar dhe procedurave më të thjeshtuara.

Sipas Doganës, rritja e numrit të operatorëve të autorizuar tregon interesin në rritje të biznesit për përfitimet që ofron ky status dhe për një administrim më të lehtësuar të procedurave doganore.

Doganat u bëjnë thirrje bizneseve që plotësojnë kriteret përkatëse të aplikojnë për statusin AEO, si pjesë e përpjekjeve për lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e sigurisë në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›