Koçiu sjell historinë e 18-vjeçarit në Ksamil: Arsimi profesional krijon mundësi punësimi

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Arsimi profesional po krijon gjithnjë e më shumë mundësi konkrete për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë në sektorët e turizmit dhe hotelerisë.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale historinë e Skerdi Vokës, 18-vjeçarit, nxënës i shkollës së Hoteleri-Turizmit, i cili ka kthyer pasionin për kuzhinën në një mundësi konkrete punësimi.
Pas formimit profesional dhe praktikës pranë bizneseve të sektorit, Skerdi sot punon në Ksamil, ku po hedh hapat e parë të karrierës së tij në një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të vendit.
“Jam futur në kuzhinë vetëm për një arsye, sepse më kanë pëlqyer eksperimentet në kuzhinë, ushqimet dhe çdo gjë tjetër. Shkolla Hoteleri-Turizëm më ofron mundësi të lidhem me biznese që janë shumë të njohura në Shqipëri, më mësoi praktikën dhe bazat fillestare që të jep kuzhina”, shprehet Skerdi.
Ai tregon se më pas u angazhua pranë një biznesi, ku u specializua në kuzhinën aziatike, duke e parë këtë fushë si një mundësi për të ndërtuar karrierën e tij.
“Turizmi është në rritje dhe turistët kërkojnë kuzhinën aziatike, po ashtu edhe tradicionale shqiptare. Ne u ofrojmë një mundësi që ata të ndihen sa më të afërt me vendin tonë”, shprehet 18-vjeçari.
Sipas tij, kërkesa në rritje për profesionistë në sektorin e turizmit e bën arsimin profesional një zgjedhje me perspektivë për të rinjtë.
“Meqë tregu është i etur për profesionistë të turizmit, i sugjeroj shkollat Hoteleri-Turizëm për arsim profesional”, thotë Skerdi.
Përmes historisë së tij, Koçiu vë në dukje rolin e arsimit profesional në lidhjen e të rinjve me tregun e punës dhe në krijimin e mundësive për punësim brenda vendit.
“Arsimi profesional nuk është një zgjedhje e dytë, por një rrugë e sigurt drejt punësimit, që u jep të rinjve mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri”, thekson Koçiu.
Të rinjtë mund të aplikojnë për të ndjekur arsimin profesional në 27 drejtime të ndryshme, të ofruara në 31 shkolla profesionale në të gjithë vendin.
Për vitin e ri shkollor, kapacitetet e arsimit profesional arrijnë në 17 mijë nxënës, duke ofruar mundësi për përgatitje profesionale dhe zhvillim të aftësive të lidhura me nevojat e tregut të punës.
Regjistrimi i nxënësve kryhet përmes platformës “e-Albania”, në shërbimin “Regjistrimi në klasën e dhjetë, në shkollë të mesme profesionale”.
/e.i/r.e/a.f/