E Martë, 3 Nëntor 2026

Doganat: Të ardhurat në buxhet, 72,4 miliardë lekë gjatë 4-mujorit

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave gjatë katërmujorit të parë të vitit arritën 72,4 miliardë lekë, shifër kjo 3,4 miliardë lekë më e lartë, krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, miradministrimi dhe digjitalizimi i shërbimeve doganore të kombinuara me rritjen e konsumit të mallrave të akcizës, janë faktorët kryesorë që kanë sjellë këtë rritje.

Referuar të dhënave, të ardhurat nga mallrat e akcizës kontribuuan në total me 2,2 miliardë lekë më shumë së e njëjta periudhë e 2024-ës.

Të dhënat nga DPD tregojnë rritje të importit të karburantit me rreth 1,3 miliardë lekë ose rreth 31 mijë tonë. Gjithsej janë zhdoganuar 229 mijë tonë karburante.

Nga ana tjetër u zhdoganuan 597 milionë lekë më tepër cigare, me rritje të sasisë së konsumuar me rreth 75 tonë. Gjithsej u zhdoganuan 946 tonë cigare.

Po ashtu, gjatë 4-mujorit u zhdoganuan 24 mijë tonë pije alkoolike.

Në periudhën janar-prill u zhdoganuan 2445 tonë kafe, 132 tonë më tepër se e njëjta periudhë e 2024-s.

1 nga 4

/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›