BERLIN – Merz: Perëndimi nuk mund t’i lejojë vetes të përçahet

BERLIN, 14 maj /ATSH-DPA/ – Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz deklaroi se do të mbështeste unitetin transatlantik në negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Është me rëndësi themelore që Perëndimi politik të mos lejojë veten të përçahet”, tha konservatori në deklaratën e tij të parë qeveritare në parlament, një javë pasi mori detyrën.
“Për këtë arsye, unë do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për të siguruar unitetin më të madh të mundshëm midis partnerëve evropianë dhe amerikanë”, shtoi ai.
Komentet e tij vijnë pas një ndryshimi në politikën e jashtme të SHBA-së, duke nxitur frikën se administrata e Donald Trump mund të bëjë lëshime ndaj Rusisë në bisedimet e paqes me Ukrainën.
Deri më tani, aleatët evropianë të Uashingtonit janë përjashtuar kryesisht nga bisedimet SHBA-Rusi të iniciuara nga Trump.
Merz theksoi se Ukraina nuk mund të detyrohet të pranojë një marrëveshje paqeje kundër vullnetit të saj.
”Shpresojmë dhe po punojmë shumë për të siguruar që ky qëndrim i qartë të merret jo vetëm në të gjithë Evropën, por edhe nga partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, ai falënderoi Trump për mbështetjen e tij për propozimin e përbashkët nga Gjermania, Franca, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar për një armëpushim 30-ditor pa kushte./ /os/