E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Onkologjiku”/ SPAK shpall moskompetencën, veçon hetimin për mjekun Gashi

Prokuroria e Posaçme (SPAK) shpalli moskompetencë për dosjen “Onkologjiku”, duke veçuar hetimin vetëm për mjekun Edmond Gashi dhe referoi dosjen në prokurorinë e Tiranës si organ kompetent.

Arsyetimi i prokurorit Elvin Gokaj, i cili ktheu dosjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, ishte që nuk kishte elemente të veprës penale të korrupsionit apo të grupit të strukturuar kriminal për këta 6 të pandehur, ndërsa për mjekun Edmond Gashi po bëhen verifikime nga SPAK për “korrupsion”.

Prokuroria e Tiranës pas kryerjes së hetimeve, ka bërë kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim për 6 persona, konkretisht Brikena Qirjazi, Alketa Pere, Emiljano Lela, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florjan Marku.

Tashmë, do të jetë Gjykata Penale e Tiranës ajo që do vendosi mbi këtë kërkesë, për kalimin ose jo të çështjes për gjykim.

Ndërkohë, prokuroria e posaçme po heton disa persona të tjerë në kuadër të të njëtës çështje, duke bashkuar katër procedime në një të vetme, pjesë e të cilit është edhe “Kobalti”.

Gjatë kësaj kohe, SPAK ka kryer veprime përfshirë ekspertiza dhe kontrolle pranë Onkologjikut, verifikimin e faturave dhe deklarimeve doganore, marrjen e dëshmive , ekspertime të pajisjeve të përdorura etj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›