Dosja e AKSHI-t, Apeli i GJKKO ndryshon pjesërisht vendimin për sekuestrimin e disa pasurive

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ndryshoi sot pjesërisht vendimin e datës 20 prill 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me sekuestron preventive të disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Vendimi u mor nga trupi gjykues monokratik i kryesuar nga gjyqtari Florjan Kalaja, pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga A.P, M.K, E.B, A.K dhe subjekte tregtare kundër masës së sekuestros së vendosur më herët.
Sipas vendimit të Apelit, është rrëzuar kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e aseteve të një shoqërie tregtare në shumën 123.629.664 lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Po ashtu, gjykata ka rrëzuar kërkesën për sekuestrimin e aseteve të dy subjekteve të tjera tregtare në vlerat 410.595.663 lekë dhe 94.423.883 lekë, si dhe ka urdhëruar heqjen e masës së sekuestros për këto pasuri.
Apeli i GJKKO gjithashtu ka rrëzuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e aseteve të një shoqërie tjetër në shumën 100.840.264 lekë, duke urdhëruar gjithashtu heqjen e sekuestros së vendosur më parë.
Gjykata ka ndryshuar edhe pjesën e vendimit që lidhej me sekuestrimin preventiv të një apartamenti në emër të E.A., duke rrëzuar kërkesën për vendosjen e sekuestros mbi këtë pasuri. Për pasojë, është urdhëruar heqja e masës së sekuestros dhe kthimi i pasurisë te subjekti apelues.
Për pjesën tjetër të disponimeve, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të zbatojnë vendimin.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykata e Lartë brenda 45 ditëve nga dita pas njoftimit të vendimit të arsyetuar. /j.p/r.e/