Trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal, GJKKO kalon për gjykim pesë të pandehur

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) pranoi sot kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) më 6 tetor 2023, për kalimin për gjykim të pesë të pandehurve të akuzuar për trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal.
Sipas vendimit, për gjykim do të kalojnë pesë të pandehur: Erjon Hoxhara dhe Eltion Bregasi të akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; Mariglen Shusha dhe Donial Drolli, të akuzuar për “Kultivim të bimëve narkotike”, “Trafikim të narkotikëve” në tentativë dhe “Trafikim të narkotikëve”, të gjitha në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për veprat penale që lidhen me pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal; Elton Hamza, i akuzuar gjithashtu për kultivim të bimëve narkotike, trafikim të narkotikëve në tentativë dhe trafikim të narkotikëve, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjykata urdhëroi formimin e fashikullit të gjykimit, duke përfshirë aktet e hetimeve paraprake dhe ato të seancës paraprake. Po ashtu, vendosi që fashikulli dhe vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq të depozitohen në sekretarinë e GJKKO-së brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit.
Sipas ligjit, kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit.
/m.q/j.p/r.e/