Drejt arsimit profesional, 7 ekipet finaliste në Korçë prezantojnë punime në fusha të ndryshme

Në Shkollën Profesionale Teknike Korçë u zhvillua ceremonia përmbyllëse e projektit “Artizanët”, një nismë e realizuar nga Këshilli i Qarkut Korçë në bashkëpunim me shkollën, me synim promovimin e arsimit profesional dhe nxitjen e kreativitetit te nxënësit.
Projekti bëri bashkë nxënës të shkollave 9-vjeçare të bashkive Korçë dhe Maliq, të cilët prezantuan idetë dhe projektet e tyre në fusha të ndryshme profesionale.
Organizatorët theksuan rëndësinë e projekteve të tilla në orientimin e të rinjve drejt arsimit profesional dhe zhvillimin e aftësive praktike që kërkon tregu i punës.
“Qëllimi i këtij aktiviteti, si kundër e thashë, orientimi i karrierës. Pra, jo të gjithë nxënësit e shkollave që përfundojnë themi shkollën nëntëvjeçare do të ndjekin arsimin e përgjithshëm, por disa syresh pa diskutim që do të shprehin aftësitë e tyre dhe do të ndjekin arsimin profesional”, tha Petrika Tollkuçi Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë.
“Për ne është një mundësi shumë e mirë ku institucionet mbështesin arsimin profesional si një mënyrë për për t’i njohur nxënësit e klasave të nënta me mundësitë që ofron arsimi profesional”, tha Anxhela Taho, Drejtore e Shkollës Profesionale Teknike Korçë.
Pjesë e ceremonisë ishte edhe prezantimi i projekteve nga vetë nxënësit, të cilët shpjeguan idetë, procesin e realizimit dhe funksionin e produkteve të krijuara gjatë konkursit.
Në përfundim të aktivitetit u vlerësuan projektet më të mira, ndërsa organizatorët theksuan se “Artizanët” synon të kthehet në një traditë që afron nxënësit me profesionet dhe mundësitë që ofron arsimi profesional.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/